Unë, djali yt Preshevë,
Agroni i Boriçëve të Shkodrës.
Nipi i Abdullah Velisë që e shihnit duke lozur e u ngjitur shkallëve të Vilës Letafet.
Po shkoj!
Në heshtje. Pa paralajmërim.
Pa i fikur dritat i fundit!
Po shkoj pa kuptuar a isha shkodran a preshevar.
Me një copë zemre Shkodrane në Preshevë, me një shpirt Presheve e me zemër sa një Shkodër.
Teatrit s’do ia ktheja shpinën asnjëherë!
Me shumë mirënjohje e dashni për gjithësecilin nga ju!
Që na brohoritët, që na dhuruat kritika e lavdërata të panumërta.
Që më bëtë me u ndje me fat, i lumtur, në ditët më kritike të kulturës në Preshevë.
Mjafton që përmes punës sime, ju bëra me qeshë, me qajtë, me ndje artistikēn e artin e me ua mbushur shpirtin art.
E po shkodran qëllova dreqi e marrtë.
U mjaftova me art, me pak, për të dhën mjaftueshëm për ju.
Me ca djem e vajza të reja, pa shkolla aktrimi po, profesionist të lindur. Me shumë pak para, me pak meze e duke ngritur dolli, ia dolëm dhe arritëm që të ngrejmë një publik në këmbë, duke ngjitur në skenë Godonë, Nitën, Stasin, Kalorësit e Apokalipsës.Preshevën e bëmë vatër të kulturës.
Mbase e kisha amanet të fshehtë nga Mëma Shqipëri që shqiptarit i duhet pak bukë, pak zemër e pak art, për të gjallnue njerëzishëm.
Mos ma zini për kusur pse ika pa lamtumirë!
Edhe ashtu artistët mbeten të pavdekshëm e ndarjet për ta janë të papranueshme!