Kongresi i Manastirit, i mbajtur nga data 14 deri më 22 nëntor 1908, përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, duke shënuar një hap të madh drejt unifikimit kulturor e gjuhësor të shqiptarëve. Në këtë ngjarje madhore, figura të shquara të lëvizjes kombëtare, si Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Parashqevi Qiriazi, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja dhe shumë të tjerë, u mblodhën për të trajtuar një çështje themelore siç ishte dhe standardizimi i alfabetit.
Kongresi u përmbyll me miratimin e një alfabeti të përbashkët, bazuar në shkronjat latine. Kjo zgjedhje nuk ishte thjesht një vendim teknik, por një akt strategjik dhe simbolik për të theksuar identitetin perëndimor të shqiptarëve dhe për të shkëputur vendin nga ndikimet e huaja që synonin përçarjen kulturore.
Vendimet e Kongresit të Manastirit hapën një epokë të re për arsimin, letrat dhe kulturën shqiptare. Alfabeti i miratuar u bë baza e zhvillimit të mëtejshëm të letërsisë dhe shkencës në gjuhën shqipe, duke ndihmuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përhapjen e arsimit masiv. Përpjekjet e këtyre personaliteteve të ndritura jo vetëm që hodhën themelet për një standard gjuhësor të qëndrueshëm, por gjithashtu i dhanë popullit shqiptar një simbol të fuqishëm bashkimi dhe progresi.
Kongresi i Manastirit përkujtohet çdo vit më 22 nëntor si Dita e Alfabetit, një ditë që mbart në vetvete frymën e bashkimit dhe përparimit të kombit shqiptar. Kjo ngjarje nuk është vetëm një moment historik, por edhe një kujtesë e fuqisë së bashkëpunimit dhe vizionit kombëtar. Ndikimi i saj mbetet i gjallë në historinë dhe kulturën shqiptare, duke frymëzuar breza të tërë për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore./Perspktivapress/