Në kundërshtim me parashikimet se libraritë do të zhdukeshin në epokën digjitale, libraritë duket sikur kanë rilindur. Ekspozime të kuruara, ambiente intime dhe aktivitete komunitare i kanë shndërruar libraritë në qendra kulturore. Ky transformim pasqyron një prirje më të gjerë: Leximtarët po i përqafojnë librat gjithnjë e më shumë si argëtim, jo vetëm si përfitim intelektual. Letërsia e njohur nuk ka më nevojë të mbrojë veten ndaj pretendimeve se vlen më pak; lexuesit janë të lirë të shijojnë atë letërsi që u flet më fort.
Nga ana tjetër, letërsia eskapiste po popullarizohet vitet e fundit. Në një kohë trazirash sociale dhe politike, lexuesit i janë kthyer romancave, fantazive dhe mistereve, për të gjetur aty prehje. Këto zhanre ofrojnë zgjidhje të kënaqshme dhe tema frymëzuese, si një strehë në kohë të pasigurta. Lexuesit nuk ndihen më të detyruar të lexojnë tërë veprën e një autori apo të qëndrojnë te titujt e kanonit letrar. Eksplorimi i zhanreve të ndryshme, interesave dhe kënaqësive e ka bërë leximin më të prekshëm dhe më të gëzueshëm. Edhe institucionet e arsimit po i përshtaten këtyre ndryshimeve kulturore. Shkollat po përfshijnë gjithnjë e më shumë zhanre të ndryshme, romane grafike dhe letërsi bashkëkohore në kurrikula, për të angazhuar lexuesit që hezitojnë. Duke legjitimuar letërsinë “në modë” si letërsi të vlefshme, ata po nxisin përvoja pozitive leximi që krijojnë marrëdhënie afatgjata me letërsinë.
Në këtë peizazh dinamik, një gjë mbetet e paprekur: dëshira njerëzore për t’u lidhur përmes rrëfimit. Qoftë i dhënë pas një romani, duke dëgjuar një audio-libër apo duke shfletuar një Webtoon, lexuesi vijon të kërkojë narrativa që e frymëzojnë, ngushëllojnë dhe sfidojnë. Kultura e leximit nuk po zhduket. Ajo po lulëzon në forma të reja dhe të papritura. /Marrë nga një shkrim më i zgjeruar i Gazetës “ExLibris”/ Nga: Riley Cooper, E përktheu: Jola Tasellari/Perspektiva/

