HomeHumor - ArgëtimBASHKËPUNIMI I BASHKËSIVE ETNIKE NË HAPËSIRAT MULTIETNIKE

BASHKËPUNIMI I BASHKËSIVE ETNIKE NË HAPËSIRAT MULTIETNIKE

Në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”, në Preshevë, të hënën e 28 tetorit 2024, ora 16,oo, Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, organizoi seminarin tematik: “Si bashkëpunojnë të gjithë pjesëtarët e bashkësisë etnike: shqiptarët, serbët dhe romët që jetojnë në këto hapësira multietnike?”, të mbështetur financiarisht nga Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në këtë seminar merrnin pjesë nxënësit e vitit të katërt të Gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë, profesorë dhe përfaqësues nga Organizata Joqeveritare “Perspektiva”.

Seminarin e konsideroi të hapur Sevdail Hyseni, kryetar i shoqatës për kulturë “Perspektiva”, i cili para të pranishmëve diskutoi për rolin dhe rëndësinë e këtij seminari, duke u fokusuar tebashkëpunimi, bashkëjetesa dhe toleranca ndërmjet komuniteteve në Komunën e Preshevës, të cilët janë faktorë thelbësorë për përmirësimin e mirëqenies dhe sigurisë për të gjithë banorët e këtij rajoni.

Në vazhdim me një punim seminarik u paraqit pedagogu i Gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë, Nexhmedin Veliu, i cili theksoi, midis tjerash, se Presheva, Bujanoci dhe Medvegjë, përfaqësojnë një nga rajonet më të ndjeshme dhe multietnike ku shqiptarët, serbët dhe romët ndajnë një hapësirë të përbashkët jetese.

Gjithashtu, pedagogu Veliu, shtoi se, kjo larmi kulturore dhe etnike përbën jo vetëm një sfidë, por edhe një mundësi unike për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe bashkëjetese, të cilat mund të kontribuojnë në një stabilitet afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet e përfshira. Roli i bashkëpunimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të ndërsjella përfshin jo vetëm aspektin social dhe kulturor, por edhe atë ekonomik, edukativ dhe institucional.

Në diskutime u përfshi edhe profesori nga Shkolla e Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, Hysen Saqipi, i cili tha se ”Në një kontekst ku sfidat historike dhe politike shpesh kanë ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, është esenciale të krijohen mekanizma për të ndërtuar besim dhe për të promovuar vlera të përbashkëta, të cilat mund të ndihmojnë në kapërcimin e paragjykimeve dhe pengesave. Përmes dialogut të hapur dhe nismave të bashkëpunimit, shqiptarët, serbët dhe romët në Luginën e Preshevës mund të krijojnë një model unik të bashkëjetesës, që jo vetëm do të forconte lidhjet ndërmjet tyre, por edhe do të shërbente si një shembull për rajone të tjera me sfida të ngjashme”. Në pjesën e dytë të seminarit në diskutime u paraqitën edhe nxënësit, duke krijuar një atmosferë interesante dhe atraktive dialoguese mes tyre dhe  drejtuesve të këtij seminari. Perspektivapress.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments