Ministrja e Kulturës së Malit të Zi, Tamara Vujović dhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli janë angazhuar për më shumë bashkëpunime dhe programe të përbashkëta në fushën e librit mes dy vendeve.
E pranishme në Tiranë në kuadër të Javës së Kulturës së Malit të Zi, Vujović vizitoi ekspozitën me libra të autorëve malazezë të përkthyer në gjuhën shqipe në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, si dhe mori pjesë në aktivitetin dedikuar përkthimit nga kjo gjuhë, me pjesëmarrjen e botuesve dhe përkthyesve shqiptarë.
“Bashkë me QKLL ne do të angazhohemi për më shumë programe që do të bëjnë të mundur përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhën malazeze dhe autorëve malazezë në gjuhën shqipe”, tha Vujović.
Mali i Zi dhe letërsia malazeze ndonëse ka qenë për dekada pjesë e federates Jugosllave, ka arritur të ruajë individualitetin e saj. Një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e shkrimit dhe këmbimit të kulturave përmes librave ka qenë shtypshkronja “Cërnojeviq”, e cila është më e vjetra në Evropën Juglindore dhe e para ndër sllavët e jugut.
Në poezinë malazeze të shekullit të XX mbizotëron poezia lirike mbi atë epike. Shekullii XX solli një plejadë të pasur krijuesish që ndikuan në pasurimin e letërsisë malazeze. Ata ndoqën prirjet postmodernist të poezisë evropiane. Disa prej poetëve që formuan identitetin e tyre kombëtar ishin: Radovan Zogoviq, Jevrem Brokoviq, Vitomir-Vito Nikoliq etj.
Domozdoshmëri në afrimin e popujve përbën përkthimi I letërsisë nga të gjitha gjinitë e shkruara, Disa prej veprave të përkthyera nga autorë shqiptarë janë: Anton Berishaj “Fenomenologjia e vdekjes”, Esad Mekuli “Unë, biri yt besnik dhe poeti”, Ali Gjeçbritaj “Motet” etj./Panorama/Perspektiva/