Dolën nga shtypi dy libra me vjersha humoristike dhe satirike të titulluara: “Koka pa tru” dhe “Shakaja me kripë”, të autorit Sevdail Hyseni nga Bujanoci.
Libri i parë “Koka pa tru”, përbëhet prej pesë ciklesh, në të cilat janë të radhitura 111 poezi me gjithsej 215 faqe, të cilave u paraprinë fjala e redaktorit Jani Duri dhe e recensentëve: Dr. Hysen Kobellari e Rezarta Seseri. Libri doli në kuadër të Shtëpisë Botuese “Rozafa”, me editor Ramadan Mehmeti, lektor Prof. Eroll Sejdiu, të shoqëruara nga karikaturat e SelajdinHajdinit – me shkurtesën Sela.
Redaktori i librit “Koka pa tru”, Jani Duri theksoi se dashuria për librin nuk ka për të humbur, për sa kohë shkruhen e botohen libra të mirë si ky i Sevdail Hysenit. “Mirëprita të jem redaktor për këtë libër sepse prej kohësh kam shkruar fabula e vjersha satirike. Kur lexon librin e një shkrimtari arrin të zbulosh shpirtin dhe botëkuptimin e tij. Kështu që respektoj, jo vetëm zotëri Sevdailin si shkrimtar, por sidomos qytetarin e devotshëm, të shqetësuar e të angazhuar në problemet e përditshme të shoqërisë ku jeton dhe që ngjan si dy pika uji me jetën tonë në Shqipëri. Thonë që fjala gdhend edhe gurin!”, tha Duri.
Libri i dytë “Shakaja me kripë”, përbëhet prej pesë ciklesh, në të cilat janë të radhitura 111 poezi me gjithsej 200 faqe, të cilave u paraprinë fjala e redaktorit Dr. Ferid Selimi dhe e recensentëve: Rrahim Sadiku, Bilall Maliqi e Musa I. Ahmetaj.
Libri u botua në kuadër të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, në Preshevë dhe u shtyp në Shtypshkronjën “Lena Graphic” në Prishtinë, me karikaturën në ballinë të autorit Endri Beqo.
Dr. Ferid Selimi si redaktor i librit ka thënë se autori në vjershat e tij përkujdeset që të na sjell çaste kënaqësie me një humor të lehtë e të butë, humor ky që mishërohet me personalitetin tonë.
“Sevdaili në vjershat e tij përkujdeset që të na sjell çaste kënaqësie me një humor të lehtë e të butë, humor ky që mishërohet me personalitetin tonë. Të shkruhet për fenomene të ndryshme shoqërore, të preken dukuri të shumta, e të kënaqesh së lexuari e së qeshuri edhe atëherë ku në thumb mund të jesh t`i, është mjeshtri autoriale. Zaten, kjo mjeshtri, Sevdailin e ka vendosur në listën e satiristëve vargor më të njohur shqiptarë, e që do ta mbaj gjallë me shekuj të tërë”, potencoi Selimi.
Recensenti i librit të dytë, Rahim Sadiku ka thënë se çështja që nuk mund të injorohet dhe që trajtohet me humor nga ai, është Lugina e Preshevës dhe ngjarjet e saj të ndryshme, që shkaktojnë reagime të qeshura dhe të pikëlluese në të njëjtën kohë.
Botimi i këtyre dy librave me vjersha humori e satire të autorit Sevdail Hyseni, ka plotësuar mungesën e këtij zhanri te lexuesit, të cilët nuk e kanë humbur sensin për humor. Janë të pakta, sot, librat që botohen e që kanë në përmbajtje të tyre kultivimin e humorit dhe satirës, prandaj nga kritikët letrarë konsiderohet i mirëseardhur realizimi e këtij misioni artistik për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. /driton hyseni/perspektiva/