Shkolla e Mesme „Sezai Surroi“ këtë vit përmbush 45 vjetorin e ekzistencës së saj. Kjo shkollë ka bërë hapat e parë të veprimtarisë që nga viti shkollor 1968/1969, atëherë kur është paraqitur nevoja e domosdoshme për hapjen e një shkolle të mesme në komunën e Bujanocit. Natyrisht se për hapjen dhe funksionimin e saj, ka patur shumë peripeci dhe sfida të natyrave të ndryshme. Kjo shkollë fillimisht në Tërnoc me paralele të shpërndara nga shkolla e mesme respektivisht nga gjimnazi i Preshevës.
Falë angazhimit, entuziazmit dhe dëshirës së flaktë të popullatës shqiptare të Komunës së Bujanocit, përfshirë këtu nxënësit , arsimtarët dhe inteligjencën shqiptare të kësaj treve, ëndrra e tyre u bë realitet dhe u hapën në fillim dy paralele të gjimnazit me rreth 70 nxënës prej të cilëve vetëm 4 kanë qenë të gjinisë femërore.Vlen të theksohet se interesimi i nxënësve për regjistrimin në këtë shkollë ka qenë i jashtëzakonshëm nga se deri atëherë nxënësit shqiptarë është dashur të shkollohen në gjuhën serbe.
Fillet e para të procesit edukativo-arsimor kan qenë shumë të vështira duke marrë parasysh se për një gjë të tillë është dashtë të sigurohet kuadri arsimor-pedagogjik i domosdoshëm. Ky kuadër është siguruar nga gjimnazi i Preshevës por është realizuar me vështirësi sepse të njëjtit profesorë që punonin në mësim të rregullt në Preshevë, të njëjtit do të mbanin mësimin në Tërnoc por kësaj radhe në formë honorari. Ky kuadër është plotësuar me profesorë nga qyteti i Gjilanit, natyrisht se për pagesën e tyre dhe bartjen nga Presheva dhe Gjilani është përgjigjur Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit të Komunës së Bujanocit, herë pas here ka ndodhë që për pagesën e tyre të participojë edhe popullata por edhe individë vullnetarë.
Profesorët e parë të kësaj shkolle që udhëhoqën procesin edukativo-arsimor ishin: Zijadin Munishi, Rexhep Munishi, Abdylaziz Veseli, Shefik Haliti, Enver Gjinolli,Rexhep Jakupi, Hafiz Isufi, Zeqirja Fazliu, Remzi Lloga, Sadri Shkodra, Xhevat Nasuf , Sahit Ramadani, Nexhat Daci, Hamdi Daci, Jahi Murati, Mustafë Selimi, Femi Kelmendi, Avdi Avdiu etj. Kurse si koordinator i të gjitha punëve për realizimin e procesit edukativo-arsimor ishte Shaban Xheladini, i cili me shumë mund dhe angazhim ndihmoi që mësimi të zhvillohet në fillim në lokalet e shkollës fillore „Muharrem Kadriu“ në Tërnoc, kurse si sekretar shkolle ishte Sabedin Halili.
Në saje të angazhimit të profesorëve, arsimdashësve dhe inteligjencës përparimtare kjo shkollë do të marrë fizionominë e një shkolle të plotë sepse shkolla fitoi edhe në pikëpamje kadrovike por edhe numri i nxënësve është rritur dukshëm dhe lindi nevoja që shkolla të pavarësohet nga gjimnazi i Preshevës dhe zgjodhi drejtorin e saj të parë profesor Mejdi Rufatin, i cili e udhëhoqi këtë shkollë deri në korrik të vitit 1975 vit.
Shkolla e transferua nga Tërnoci në Bujanoc në vitin 1974 vit. Në oborrin e shkollës ekonomike dhe ky transferim është bërë me ndihmën edhe të sekretarit të BVI-së së atëhershme Njiazi Bektashit. Meqë shkolla ishte vendosur në qytetin e Bujanocit, interesimi i nxënësve ishte edhe më i madh kështu që mund të themi se ky numër i nxënësve është shumëfishuar në krahasim me numrin e nxënësve të cilët u regjistruan për herë të parë. Deri në gusht të vitit 1978 shkolla ka figuruar me paralelet e gjimnazit të drejtimit shoqëroro-gjuhësor, ndërsa që nga viti 1978/1979 gjimnazi shndërrohet në Qendrën Arsimore të Mësimit të Mesëm të Orientuar. Dy vitet e para të kësaj forme të arsimit ishin Baza Unike,ndërsa orientimi profesional fillonte që nga viti i tretë me profesionet: gjimnazi shkencor shkolla ekonomike ,drejtimi juridik dhe drejtimi i makinerisë.
Gjatë këtyre viteve shkollore ,numri i nxënësve nëpër paralele ka qenë shumë më i madh se deri në atë kohë. Pas mësimit të mesëm të orientuar, shkolla u shndërrua në drejtime profesionale .Është me rëndësi të ceket se me dat. 16 korrik të vitit 1990 u futën masat e dhunshme në shkollën tonë megjithatë reagimin dhe kundërshtimin e madh të organeve të shkollës, arsimtarëve por edhe të delegatëve shqiptarë të Kuvendit Komunal të Bujanocit, kështu që gjatë kësaj periudhe të masave të dhunshme, në krye të të cilit ndodhej Milloš Josifoviqi-Joshki, iu ndërrua edhe emri i shkollës nga „Sezai Surroi“ në „Mihajllo Pupin“
Gjëja më tronditëse për shkollën, nxënësit dhe arsimtarët, ka qenë atëherë kur Kuvendi Komunal i atëhershëm mori vendim që shkolla e jonë të transferohet dhunëshëm nga objekti i jonë në objektin e shkollës fillore „25 Maji“ të Bujanocit. Në këtë shkollë me lokal të pamjaftueshëm që të zhvillohej mësimi në dy shkolla, ka zhvilluar veprimtarin arsimore shkolla e jonë duke qenë të privuar nga e drejta elementare ne nxënësve për shkollim. Duhet theksuar edhe këtë se personeli arsimor i shkollës fillore „25 Maji“ është treguar shumë solidar duke na ofruar kushtet si për vete, ashtu edhe për ne.
Gjatë kësaj kohe shkolla funksiononte si shkollë Makineriko-Elektroteknike. Për shkak të kushteve dhe situatës që ekzistonte në atë kohë, numri i nxënësve kishte rënë në mënyrë drastike. Ky numër i nxënësve sillej përafërsisht rreth 340 nxënës.
Në vitin shkollor 2002/2003 në marrëveshjen midis shkollës tonë dhe gjimnazit të Preshevës, te ne u hapën në fillim dy paralelet e gjimnazit të përgjithshëm dhe si të tilla këto paralele funksionuan deri në vitin 2006. Të themi edhe këtë se prej vitit 1992 deri në vitin 2002, në objektin tonë shkollor ishte vendosur ushtria e atëhershme jugosllave e cila qëndroi e plot një decenie, atëherë u kthyem ne në objektin e mëparshëm,në oborrin e të cilit ndodhemi edhe sot.
Në vitin 2006 paralelet e gjimnazit u pavarësuan nga shkolla amë e Preshevës, njëherit u hapën edhe drejtimet tjera si p.sh. Ekonomia, Mjekësia dhe Tregtia. Po në të njëjtin vit, me shumë angazhim të shkollës dhe drejtorisë së saj i është kthyer edhe emri i mëparshëm i shkollës me emrin „ Sezai Surroi“ .
Është me rëndësi të ceket se në vitin 2005 është marr iniciativa që të ndërtohet objekti i ri shkollor në të cilin ndodhemi tani. Natyrisht se për realizimin e këtij objekti kapital, ka patur vështirësi dhe peripeci edhe materiale dhe çfarë jo tjetër, por me angazhimin edhe të drejtorisë, organeve komunale dhe donatorëve, ëndrra e kahmotshme u bë realitet dhe shkolla u ndërtua me ç,rast jemi bartur nga objekti i vjetur (barakat) në vitin 2007.
Shkolla e jonë tani radhitet ndër më të mirat dhe më bashkëkohoret në rajon me kushtet shumë të mira për realizimin e procesit edukativo-arsimor. Sot, shkolla e jonë në vitin shkollor 2012/2013 numëron 1400 nxënës të shpërndarë në 50 paralele të drejtimeve dhe profesioneve të ndryshme ekzistuese. Bujanoc, 01.03.2013 /Perspektiva/