Me 17 nëntor, në Shkollën Fillore “Prof. Ibrahim Kelmeni” në Preshevë, nisi edicioni i radhës i projektit tashmë tradicional “Java e Kulturës”, një ngjarje që prej vitesh shndërrohet në urë lidhëse mes artit, historisë dhe identitetit tonë kombëtar. Projekti, i koordinuar nga Fitim Nuhiu, vjen si një platformë që bashkon të gjitha grupet artistike, kulturore e letrare të shkollës, duke rikthyer në vëmendje krijimtarinë, talentin dhe trashëgiminë shqiptare përmes aktiviteteve të ndryshme edukative.

Në hapjen zyrtare të aktivitetit mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi, i cili u shoqërua nga stafi i tij. Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën e tij në mbështetje të arsimit dhe kulturës, nxënësit i dhuruan një pikturë të punuar me shumë pasion nga nxënësja e talentuar Mubejena Limani.
Ekspozita e parë: Art, Histori dhe Identitet
Dita e parë e javës u zhvillua nën temën “Ekspozitë artistike dhe historike e nxënësve”, një aktivitet i organizuar me përkushtim nga Grupi i Artit, nën udhëheqjen e mësuese Lejla Kelmendi dhe arsimtarit Shqiprim Fejzullahu. Hapësirat e shkollës u shndërruan në një galeri të gjallë, ku kreativiteti i nxënësve u reflektua në disa pika kryesore:
Mozaiku i flamurit Kuq e Zi
Nxënësit punuan së bashku për të krijuar një mozaik të madh të flamurit kombëtar, duke përdorur materiale të ndryshme artistike. Ky mozaik, i realizuar me dashuri e përkushtim, simbolizoi unitetin dhe identitetin tonë kombëtar.
Pikturimi i veshjeve tradicionale
Nëpërmjet pikturave të veshjeve nga treva të ndryshme shqiptare, nxënësit sillnin një udhëtim të bukur në traditën dhe trashëgiminë kulturore.
Skena simbolike: Vajzat pranë sofrës
Një grup vajzash paraqiti një skenë tepër domethënëse, ku gratë shqiptare punonin me dorë flamurin Kuq e Zi pranë sofrës. Kjo skenë përcolli një emocion të veçantë, duke na rikujtuar rolin e gruas në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Këndi historik – “Kështjella e Skënderbeut”
Një hapësirë e veçantë u dedikua figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, ku përmes punimeve simbolike, nxënësit prezantuan “Kështjellën e Skënderbeut”, duke sjellë në vëmendje heroizmin dhe qëndresën shqiptare.
Frymëzim, kreativitet dhe kulturë
“Java e Kulturës” vazhdon t’i japë zë kreativitetit të vogëlushëve të Preshevës, duke u kthyer në një traditë e cila rrit ndjenjën e përkatësisë, bashkon komunitetin dhe kultivon vlerat tona të përbashkëta.
Ky projekt jo vetëm që afirmon talentin e nxënësve, por edhe i rikthen vlerat kombëtare në qendër të edukimit, me dëshirën që brezat e rinj të rriten krenarë me identitetin, historinë dhe kulturën e tyre./Perspektiva/

