Shkrimtari ynë i çmuar Ismail Kadare është kandiduar për çmimin ndërkombëtar Booker me librin e tij “Kur sunduesit grinden”. Ky libër bën fjalë për misterin e telefonatës Stalin-Pasternak, njëri udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe tjetri shkrimtari më i famshëm i tij. Kjo telefonatë është ritreguar nga disa pikëpamje dhe shumë studiues aludojnë se në rolet specifike shkrimtari ka fshehur vetë marrëdhënien që ai ka pasur me Enver Hoxhën.
Pasternaku ishte vërtet shkrimtari më i famshëm i Bashkimit Sovjetik me “Doktor Zhivagon” e tij por në të njëjtën kohë ishte edhe një nga njerëzit më të persekutuar nga policia secrete e Stalinit. Ai biles u detyrua nga regjimi rus i asokohe edhe të refuzonte çmimin Nobel duke u bërë kështu një nga dy shkrimtarët e vetëm në histori që e ka refuzuar atë. Tjetri ishte Jean-Paul Sartre që e refuzoi edhe ai për arsye politike po tërësisht të kundërta nga Pasternak. Sartre mendonte se asnjë shkrimtar nuk duhet të lejonte ta kthente veten në institucion.
Ky hulumtim i Kadaresë në hullitë e pushtetit dhe specifikisht në marrëdhëniet që kanë shkrimtarët dhe artistët me pushtetin është një nga librat e tij më të arrirë dhe pikërisht një nga librat e tij të fundit pasi Ismail Kadare vendosi për hatër të moshës të mos shkruajë më.
Libri është përkthyer në anglisht si « A dictator calls » dhe ruan në mënyrë të saktë tematikën dhe stilin e autorit. Kjo telefonatë ndodhi në 1934 për të diskutuar arrestimin e poetit Osip Mandelshtam. Kadare vetë ka studiuar në rusi dhe e njeh mirë klimën njerëzore dhe atë letrare atje duke e bërë njeriun perfekt për të përshkruar me një libër këtë telefonatë. Libri nuk është as publicistik dhe as historik por një përpjekje letrare për të përshkruar një fenomen. Shpesh si me librat e Kadaresë është i vështirë për tu futur brenda një kornize./Dita/Perspektiva/