Qysh në fillimet e letërsisë mungesa dhe vdekja zunë vendin e nderit. Por letërsia hyri në domenin e vdekjes jo për t’iu përulur asaj, por si e barabartë me të. Te poema madhështore për Gilgameshin, letërsia, duke e njohur pushtetin e vdekjes, merrte, megjithatë, të drejtën t’i bënte një qortim asaj.
Gilgameshi mposhtet prej vdekjes, por, për hir të letërsisë, një pjesë e tij i ikën, i shpëton, megjithatë, vdekjes. Është një zgjidhje kompromisi, po të përdorim një formulë të kohës sonë. Të tilla kompromise të mëdha me të pamundurën mund të bënte vetëm një art i madh.
Letërsia vazhdoi të ushqehet nga vdekja dhe nënproduktet e saj: nata, gjumi, ëndrrat, vrasja e ndërgjegjes.
Letërsia në fillimet e saj u lidh edhe me aktin e flijimit. Troja ishte kërkesa e saj e parë në këtë altar. Më pas me qindra ishin ngjarjet, subjektet, personazhet dhe skenat, që përpara se të ushqenin letërsinë, u spërkatën nga gjaku dhe zija. Kur poeti shqiptar Fan Noli përktheu “Waterlonë” e Hygoit, shënoi në fund të saj se, pas gjithë asaj tragjedie, kishin së paku një ngushëllim: këtë poemë që nuk do të mund të lindte pa të. Letërsia u mësua kështu të kërkojë fli. Në një mënyrë ose në një tjetër ajo na kërkon ne. Në një mënyrë ose në një tjetër ne i paguajmë tributin.
Vdekja, gjumi, vrasja e ndërgjegjes, të gjitha këto të kujtojnë natën. Nata, në mendimin skematik njerëzor, lidhet me negacionin. Por, ne e përmendim këtë mendjelehtësisht, pa menduar se ç’tmerr do të ishte koha në botë, sikur të mos ndërpritej nga nata. Sikur gjithë kalendari të përbëhej nga një ditë e pafundme. Askush, pra, nuk është kujtuar gjer më sot të bëjë një studim hipotetik se çfarë roli ka luajtur nata në zbutjen e njerëzimit. Pa ndërhyrjen e saj, pa frenimin, pa ndërprerjen e saj, revani i së keqes, i nervozizmit, i tërbimit njerëzor do të arrinte ritme katastrofike.
Në periudhën e saj të parë letërsia nuk ka njohur veç po ato rreziqe që kërcënonin jetën njerëzore: harrimin, shuarjen. Rapsodët këndonin, njerëzit i dëgjonin, pastaj dilnin rapsodë të rinj që këndonin këngë të reja, që vdisnin bashkë me to ose pak më vonë. Letërsia njihte kështu pak a shumë ato rreziqe natyrale si edhe jeta njerëzore. Më pas ajo njohu rrezikun e parë që vinte nga një sferë tjetër: nga shoqëria, shteti. Ishte teatri, me sa duket, që, për shkak të grumbullimit të njerëzve mu në mes të qytetit, provokoi së pari idenë e censurës./Hejza/ Perspektiva/