HomeKulturëMAGJIA E LIBRIT GJALLËRON BIBLIOTEKËN E PRESHEVËS

MAGJIA E LIBRIT GJALLËRON BIBLIOTEKËN E PRESHEVËS

Sot, më 2 prill, në Preshevë u shënua me një atmosferë të ngrohtë dhe plot gjallëri Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, një datë që i kushtohet nxitjes së dashurisë për leximin dhe librin që në moshë të hershme.

Me këtë rast, fëmijë të shumtë vizituan bibliotekën e qytetit, ku u pritën me përzemërsi nga stafi dhe drejtoresha Albina Azizi. Ambientet e bibliotekës u mbushën me zëra të gëzuar, teksa të vegjlit recituan poezi, shfaqën talentin e tyre artistik dhe u përfshinë në aktivitete kreative si ngjyrosja e vizatimeve me figura të ndryshme. Gjithashtu, ata patën mundësinë të relaksohen duke ndjekur një film vizatimor, duke e bërë përvojën edhe më të këndshme.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti, fëmijët u shpërblyen me mirënjohje për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre, duke i motivuar edhe më tej drejt botës së librit dhe dijes.

Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë festohet çdo vit më 2 prill, që nga viti 1967, dhe është zgjedhur për të përkuar me ditëlindjen e shkrimtarit të njohur danez për fëmijë, Hans Christian Andersen, autor i shumë përrallave që kanë frymëzuar breza të tërë.

Kjo ditë në Preshevë solli një mesazh të qartë: libri mbetet një dritare e hapur drejt imagjinatës, dijes dhe ëndrrave të fëmijëve – një thesar që duhet ruajtur dhe kultivuar çdo ditë./Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments