Radiotelevizioni Italian (RAI) ka ndërmarrë një hap historik duke nisur për herë të parë transmetimin e një programi në gjuhën shqipe, të dedikuar posaçërisht komunitetit arbëresh në Itali. Ky projekt mediatik synon të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë kulturore e gjuhësore të arbëreshëve, të cilët për shekuj me radhë kanë arritur të mbajnë gjallë gjuhën dhe zakonet shqiptare në rajonet e Kalabrisë, Sicilisë dhe në gjithë Italinë e Jugut.
Programi televiziv do të nisë më 21 shtator dhe do të transmetohet çdo të diel në ekranet e RAI-t, ndërsa në radio do të ofrohet një emision i përditshëm, nga e hëna deri të premten, me përsëritje gjatë fundjavës. Ky format do të përfshijë lajme, rubrika kulturore, muzikë, intervista dhe temasociale, duke sjellë më afër publikun arbëresh me identitetin e tyre dhe duke i dhënë një zë më të fuqishëm në mediat italiane.
Nisma e RAI-t shihet si një akt i rëndësishëm për afirmimin e diversitetit kulturor dhe për forcimin e lidhjeve mes Italisë dhe Shqipërisë. Përmes saj, bëhet e mundur jo vetëm mbrojtja e një pasurie të çmuar gjuhësore, por edhe rikthimi i gjuhës shqipe në hapësirën publike të komuniteteve që kanë luftuar për ta ruajtur atë me fanatizëm brez pas brezi.
Ky transmetim shënon një moment historik në marrëdhëniet kulturore italo-shqiptare, duke dëshmuar përkushtimin e Italisë ndaj arbëreshëve, të cilët me krenari kanë ruajtur traditat, folklorin, zakonet dhe gjuhën e të parëve, duke e bërë atë një pjesë të gjallë të mozaikut kulturor europian./Perspektiva/