Më 19 nëntor, Sanxhaku, për herë të parë, u mbush me ngjyrat, emocionet dhe simbolikën e Nëntorit të Flamurit, falë një organizimi të veçantë kulturor brenda programit “Nëntor Lugine”, që këtë vit u shtri edhe në këtë trevë me një rëndësi të veçantë historike e shoqërore për shqiptarët.

Atmosfera festive e kësaj mbrëmjeje solli një ndjesi të re dhe të shumëpritur për komunitetin shqiptar në Sanxhak, duke përçuar mesazhe uniteti, krenarie dhe përkatësie kombëtare. Muzika e traditës dhe vallet karakteristike shqiptare krijuan një skenë të gjallë e plot emocione, ku bashkëjetuan arti, identiteti dhe historia.
Në këtë aktivitet performuan Shoqëria Kulturore Artistike “Presheva” dhe Shoqëria Kulturore Artistike “Zëri i Luginës”, të cilat përmes melodive dhe koreografisë sollën në Sanxhak ritmet e trashëgimisë sonë kulturore. Publiku u emocionua nga këngët e përzgjedhura dhe vallet që përçuan shpirtin e festës, duke krijuar një atmosferë të rrallë dhe të paharrueshme.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, e vlerësoi aktivitetin si një moment historik për shqiptarët e Sanxhakut. Në fjalën e tij, ai u shpreh: “Sot, Sanxhaku festoi Nëntorin me muzikë, valle dhe emocione shqiptare. Për herë të parë, shqiptarët e kësaj treve e shënuan këtë datë me një aktivitet të mirëfilltë kulturor që e mbushi hapësirën me frymën e Nëntorit.”
Kjo ngjarje u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, u monitorua nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd, dhe u organizua në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Mbrëmja e Nëntorit në Sanxhak nuk ishte thjesht një aktivitet kulturor; ajo ishte një dëshmi e gjallë e identitetit dhe energjisë së komunitetit shqiptar, një afirmim i vlerave dhe i lidhjes së pandarë me rrënjët kombëtare.
Sanxhaku, sonte, frymoi VeçShqip — me krenari, me kulturë dhe me zemrën plot Nëntor.

