HomeKulturëStruga nikoqire e festivalit të thesareve shekullore të popullit “Këngë Jeho”

Struga nikoqire e festivalit të thesareve shekullore të popullit “Këngë Jeho”

Për tre net, në qytetin turistik të Strugës, u organizua për të 32-tin vit, festivali i Artit Popullor, i cili në jetën kulturore të këtij qyteti konsiderohet si një ndër manifestimet më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë shpirtërore, me shtrirje nga të gjitha trevat etnografike shqiptare dhe diasporës. Si ngjarja më e madhe kulturore në Maqedoninë shqipfolëse, festivali “Këngë Jeho” i Strugës, shprehet drejtori i festivalit, Zini Isufi, lindi si domosdoshmëri për më tepër liri, për një unitet brenda njësisë etnike, për afrimin shpirtëror të shqiptarëve në mes tyre, nga ndarja shumëvjeçare mes njëri-tjetrit, sepse kënga, vallja, melodia, kostumet popullore e ndihmojnë afrimin shpirtëror të bashkëkombësve.

Historikisht ky festival, me vlera të spikatura etnike, ka qenë produkt i vlerësimit patriotik dhe ndihmesës së intelektualëve dhe rinisë së Strugës, për ta kthyer trashëgiminë shpirtërore të popullit në një festë artistike. Përkushtimi i këtyre intelektualëve e shtriu fizionominë e festivalit në gjithë hapësirën etnike për ta shndërruar në manifestim të të gjithë popullit shqiptar, si një festival mbarëkombëtar.

Pavarësisht vështirësive, në 32 vjet festivali ka përcjellë vlera origjinale; gjerdanë me gurë të çmuar të krijuar nëpër shekuj, pjesë e palcës së këtij trualli, si dëshmi e konstitucionit shpirtëror të një populli të lashtë, por edhe si një befasi artistike me gjenezë shekullore. Edhe në ditët e këtij festivali, mbizotëroi më e ndritshmja, më e bukura: gëzimi, ngrohtësia njerëzore, ndjenjë që di ta rrezatojë vetëm Arti i Madh i Popullit. Në atë sfond natyror të qytetit ujor, dekori i ri shumëngjyrësh përzihej me motivet melodike dhe ritmin e valleve epike dhe lirike, ndaj Struga dukej më e re, më e gëzueshme mes ngjyrave të arta që kanë përcjellë artistët popullorë brez pas brezi në shekuj.

Pjesëmarrja e shumë shoqërive kulturore artistike të Maqedonisë së Veriut, të Kosovës , të Shqipërisë, të Malit të Zi i dha festivalit “Këngë Jeho” përmasat e Odës së Madhe të shpirtit të Popullit, ku u prezantuan traditat, kultura historike kombëtare dhe jeta shpirtërore e stërgjyshërve tanë. Në këtë festival morën pjesë edhe grupet folklorike jashtë trevave shqiptare, Bullgari Greqi dhe Maqedonia e Veriut, çka i dhanë festivalit përmasa ndërkombëtare.

Parakalimi i kostumeve ,dekor shumëngjyrësh, elektrizoi rrugët dhe sheshet e Strugës, krijoi ndjesinë, se arti dhe kultura mbjellin ndjenja dashurie mes popujve. Në festivalin e 32 “Këngë Jeho”, morën pjesë ansamblet kulturore “Bajram Shabani” – Kumanovë, Ansambli “Emin Duraku”- Shkup, Qendra Kulturore Artistike “Anamorava” – Viti Kosovë, “Valët e Liqenit” – Ladorisht, Grupi Polifonik “Thesaret Labe” – Tiranë, “Studio Folk Blazheski” Shkup, “Hellenique Centre of Folk Studies Elkelam Athens”, Ansambli “Sadi Halili” – Librazhd, “Uniersity Folk Dance Group Puldin”, “Plovdid” – Republika e Bullgarisë, Ansambli Artistik i Shoqatës “Skampa” – Elbasan, SHKA “Përparim Tomçini” – Peshkopi, SHKA “Dibra e Madhe” – Maqedoni e Veriut, Shoqata Kulturore Muzikor, Kori Polifonik “Sofioti Cantore-Curriculum, i arbëreshëve të Kalabrisë etj. Përshëndeti festivalin natën e parë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare të Maqedonisë së Veriut, me drejtues artistin e madh Shkodran Tola, i cili interpretoi me shumë emocione edhe këngën polifonike “Bij çobanësh neve jemi”.

Programet e këtyre ansambleve folklorike i dhanë festivalit interpretime mjeshtërore, ku vallja dhe kënga popullore si palca e kësaj toke, folën me gjuhën e artit dhe estetikës, që ndonëse vjen prej shekujsh, ende mbetet e freskët dhe plot emocione. Në festival artistët popullorë e përcollën folklorin burimor, nën ritmin e tupanit dhe currles, me një shkrirje të elementëve dhe gjinive të ndryshe folklorike. Kjo formë organizimi e elementëve folklorikë, e bëri më interesante traditën, e mbushi spektatorin me emocione estetike dhe entuziazëm popullor./Panorama/Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments