Lëvizja Qytetare “Vatra” me seli në Gjilan, më 27 korrik, organizoi edicionin jubilar të manifestimit tradicional “Takimet e Vendlindjes – Zarbica 2025”.
Ky organizim përkon me 20-vjetorin e ngjarjes së parë të mbajtur në vitin 2005, duke ruajtur dhe kultivuar traditën e lidhjes me vendlindjen, si një akt kujtese, bashkimi dhe identiteti kombëtar. Nën patronazhin e “Vatres”, ky edicion do të shënohet si më gjithëpërfshirësi në historinë e këtyre takimeve, duke bashkuar për herë të parë të gjitha fshatrat e Malësisë së Bujanocit në një manifestim të përbashkët dhe qendror.
Bashkësia Lokale e Zarbicës dhe fshatrat e saj kodrinoro-malore: Suharrna, Novosella, Priboci, si dhe fshatrat përreth si Ramabuqa, Qarri, Muhoci, Breznica, Bilinica etj., do të jenë pjesë integrale e këtij manifestimi që synon të ruajë frymën e kthimit në troje dhe të nxisë lidhjet shpirtërore e kulturore të malësorëve me vendlindjen.
Gjatë këtij manifestimi kulturor me një mirënjohje u nderuar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, nga veprimtari i Lëvizja Qytetare “Vatra”, Elbasan Shabani.
Takimet e Zarbicës nuk janë vetëm një rit tradicional, por një simbol i vullnetit dhe përkushtimit të shqiptarëve të Malësisë së Bujanocit për t’u kthyer dhe qëndruar në tokat e tyre stërgjyshore.
Vlen të theksohet se në të kaluarën, takime të ngjashme janë organizuar ndaras nga bashkësitë lokale të Pribocit, Ramabuqës, Muhocit, Novosellës etj., por këtë vit, nën kujdesin e Lëvizjes “Vatra”, për herë të parë ato do të unifikohen në një ngjarje madhore dhe simbolike./Perspektiva/