HomeOpinioneUNIVERSI I MAGJISHËM I POEZISË

UNIVERSI I MAGJISHËM I POEZISË

Mimoza Çobo

Grimca shpirtërore që i jep masë eterike materies së strukturës së universit poetik të çdo poeti, i përngjan të ashtuquajturës “Grimca e Zotit “, që i dha masë fizike materies së botës.

“Ligjet themelore” sipas të cilave është krijuar ky univers poetik përbëjnë kodin e krijuesit, si tërësi kombinimesh të aspektit gjuhësor, imagjinar dhe atij real, që padyshim lidhen pazgjidhshmërisht me kodin personal të lexuesit.

Materia jetësore është baza shpirtërore e universit të magjishëm të poezisë. Prandaj, ajo duhet të mbajë në bërthamë masën filozofike,e cila të jep mundësinë të zbulosh thelbin e karakterit dhe idenë e përgjithshme të këtij universi.

Pikërisht ,kjo materie e prekshme, me të cilën poeti ngjiz universin e tij artistik, arrin të krijojë figuracione yjore poetike,që i japin sharmin dhe tonin lirik motiveve jetësore dhe zgjojnë ndërgjegjen për reflektim ndaj fenomeneve të rënda shoqërore. Prandaj, poeti duhet të ngulmojë në gjetjen e motiveve pjalmore, që kurojnë shpirtin e sëmurë të kohës ,të individit dhe shoqërisë. Duhet t’i qëndrojë besnik elementeve strukturorë të poetikës dhe vlerave të vërteta artistike.

Fuqinë e fjalës poetike, duhet ta përdorë si mjetin më të fuqishëm,nëpërmjet të cilës të arrijë të mishërojë një mori tiparesh e vetish të realitetit familjar e shoqëror,të zbulojë të fshehtat e shpirtit njërëzor që përpëlitet në vorbullën e kohës, pa gjetur qetësi shpirtërore,të mishërojë revoltën e brendshme të qenies,e cila nuk duhet të mbetet brenda kuadrit të saj ,por të fitojë dimensione të gjera shoqërore e humane.

Çdo grimcë dashurie, gëzimi, trishtimi a pikëllimi që rrjedh nga hoja e realitetit, nga jeta e gjithsecilit prej nesh, mbart në thelb fuqi të jashtëzakonshme,që natyrshëm ngacmojnë neuronet e trurit dhe të bëjnë të vërtitesh rreth boshtit të tyre, siç vërtiten asteroidët rreth diellit, të bëjnë të kapërcesh kufijtë e së zakonshmes,drejt të pakufishmes, hyjnores për të zbuluar misterin e së bukurës që arrijnë ta shohin vetëm sytë e mendjes së ndritshme të poetit. Sepse poeti është imagjinativ, deri në atë pikë, sa çdo gjë që ekziston brenda gjirit të natyrës apo të jetës jo vetëm nuk humbet pa prekur nervin e ndjeshmërisë së tij, por gjatë ekzistencës vegjetative, ato shndërrohen në cilësi humane brenda natyrës së tyre dhe për më tepër shërbejnë si mjete komunikuese, për të shprehur potencialin e mendimeve e të ndjenjave shpirtërore.

Është aftësia e poetit që nëpërmjet fuqisë së jashtëzakonshme të mendimit poetik dhe të mjeteve stilistike, të derdhë në telajon e mëndafshtë të vargut, ngjyrat më të bukura e më të dhimbshme ,që formësojnë strukturën e kuptimësisë shpirtërore të njerëzores dhe të materies natyrë.

Në historikun e letërsisë botërore dhe atë të letërsisë shqipe, tema e dashurisë,ka qenë dhe është një nga temat më të lëvruara nga poetët. Trajtimi i kësaj teme përqëndrohet kryesisht në raportin mes bukurisë së jashtme dhe bukurisë së brendshme ,që karakterizon njerëzimin gjatë ekzistencës në planetinTokë. Ky proces krijimi,ka një dominante themelore,rilindjen e jetës njerëzore në gurgullimën e kulluar të burimit të dashurisë.

Dashuria si nocion është gjëja më çmuar në jetë për çdo qenie njerëzore dhe për vetë poetin. Në konceptin më të gjerë është ndjenja më e fuqishme që bashkon dy trupa në një të vetëm, është drithërim, emocion, një diell i shndritshëm që shkrin grimcat e akullit në fletët e brishta të shpirtit, një uragan që thërrmon me ëmbëlsi thellësitë e qenies, është dhembje e brendshme e pazëshme, që shpon aortën e zemrës me shpejtësinë e dritës.

E parë në këtë kendvështrim ,poeti duhet të jetë idhtar i apasionuar i mendimit të lirë, të insistojë që dashuria të mos jetë vetëm ideale, por, edhe konkrete, duke vënë në provë ide dhe opinionet e ngurtësuara të individit e të shoqërisë mbi dashurinë. Prandaj poezisë nuk duhet t’i mungojnë cilësitë e karakterit dhe të temperamentit të të dashuruarve.

Poeti beson se dashuria ka forcë magjike,të ngrejë të vdekurin nga varri ,është optimist e romantik deri në frymën e fundit, insiston me finesë në triumfin e dashurisë së vërtetë e të përjetshme.Duke qenë konkret dhe entuziast, se dashuria ashtu si jeta, është veprim, është humane(këtu qëndron vlera e saj ),poeti arrin ta bëjë lexuesin të dashurohet me poezinë ,të ngjall te ai përfytyrime shumëshqisore, për të zhbiruar thellësitë e vargut në kërkim të reales ,shpirtërores dhe hyjnores. Por, kur poeti ndjen drithërimën e urisë dhe të varfërisë, të marrëzive të kësaj bote me pamje engjëlli e shpirt djalli, atij i egërsohet dallga e gjakut,vetësakrifikon shpirtin e tij nëpër vargje.

Në rrjedhën epike të këtij vetësakrifikimi,lexuesi arrin të perceptojë botën reale ku ai vegjeton me gëzimet, hidhërimet dhe dhimbjet epike, të cilat kanë në thelb forca gjalluese që pulsojnë ritmin e pandërprerë të kësaj jetë të kërcënuar nga dramat,që po vështirësojnë gjenerimin e lëvizjes jetësore,duke kryqëzuar në trungun e kohës dashurinë ,shpresën dhe humanizmin.

Poeti duhet të jetë kërkues ndaj vetes dhe të ngulmojë në hedhjen e hapave të guximshëm drejt një arti poetik modern, që ecën përkrah zbulimeve të mëdha të bëra nga shkenca, mbi të vërtetat e egzistencës njerëzore dhe të fenomeneve, që e shoqërojnë njeriun në përpjekjet e mendjes së tij vigane, për të zbuluar sekretet e hapësirës ndëryjore nga pozicioni i planetit Tokë. Të aspirojë duke krahasuar, nga pozicioni i tij, për të sjellë fakte të zbuluara ,me fantazinë e tij artistike, pikërisht mbi ato të vërteta që sjellin në jetë këtë njeri eksplorator të gjithësisë.

Misioni i poetit është të shkrihet me idealin e shpirtit njerëzor për të jetuar dhe gëzuar mirësitë e kësaj bote jo si një turmë njerëzish, që mbajnë mbi supe peshën e hidhur të varfërisë e të përbuzjes ,por si qytetarë të lirë të një shoqërie demokratike. Për ta pasuruar universin e magjishëm të poezisë,poeti duhet të vërë në lëvizje rrjedhën e mendimit, të zgjerojë imagjinatën piktorike dhe aspektin e të menduarit në planin universal, ku e magjishmja përtërin ndjenjat dhe mendimi poetik zotëron fuqinë për të ndryshuar botën e brendshme të lexuesit dhe të krejt njerëzimit./Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments