Aforisti i njohur nga Dobrosini i Luginës së Preshevës, Halim Hasani, vjen para lexuesve me librin e tij të ri, të titulluar “5555 Aforizma (Fjalë të urta, konstatime, shprehje, frazeologjizma)”, një vepër që pasuron fondin e aforistikës shqiptare dhe dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të autorit ndaj këtij zhanri të veçantë letrar.
Botimi i ri përfaqëson një tjetër etapë në krijimtarinë e Hasanit, i cili prej më shumë se tri dekadash kultivon aforizmin si formë të shprehjes së mendimit, kritikës shoqërore dhe urtësisë njerëzore. Me fjalë të pakta, por me domethënie të thellë, ai trajton tema që lidhen me jetën, moralin, pushtetin, shoqërinë dhe paradokset e kohës moderne.
Aforizmi, si një nga format më të përmbledhura të shprehjes letrare, kërkon përqendrim të mendimit, saktësi gjuhësore dhe aftësi për të zbuluar kuptime të mëdha përmes fjalëve të pakta. Në këtë fushë, Halim Hasani është shndërruar në një nga emrat e dalluar të aforistikës shqiptare, duke ndërtuar një opus krijues që ndërthur urtinë popullore, ironinë, filozofinë dhe vështrimin kritik ndaj realitetit.
Nga “Aforizma të kohës” te “5555 Aforizma”
Rrugëtimi i tij krijues nisi më 1993, me librin “Aforizma të kohës”, për të vazhduar me një varg botimesh që dëshmojnë për një punë të pandërprerë letrare. Ndër veprat e tij më të njohura janë “200 Aforizma” (2005), “Aforizma bashkëkohorë” (2008), “Fjalë nëpër kohë” (2012), “Fjali me inxhi” (2013), “Fjali pa mahi” (2014), “2400 Aforizma” (2016), “600 Aforizma” (2018), kompleti “3000 Aforizma” (2019), si dhe botimet e viteve në vijim, përfshirë “4000 Aforizma” (2022) dhe “Kokën e jap, tokën s’e jap” (2025).
Libri i ri me 704 faqe “5555 Aforizma”, vjen si vazhdimësi e këtij rrugëtimi dhe si dëshmi e këmbënguljes së autorit për ta zhvilluar e pasuruar një zhanër që ende mbetet relativisht pak i kultivuar në letërsinë shqipe./Perspektiva/

