Të enjten e 12 dhjetorit, në Shtëpinë e Kulturës “Vuk Karaxhiq” në Bujnaoc, Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, në mbështetje të Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dha një shfaqje të video-filmit në ekranin e vogël, të shoqërive kulturo-artistike shqiptare dhe serbe “Zëri i Luginës”, “Soko” dhe valle popullore nga komuniteti rom.
Në këtë ngjarje kulturore merrnin pjesë nxënësit dhe profesorët e qendrave të mesme shkollore “Sezai Surroi” e “Sveti Sava” nga Bujanoci dhe Gjimnazi “Skënderbeu” nga Presheva, si dhe përfaqësuesi i Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, z. Bejtulla Mustafi.
Në diskutimin e tij, drejtuesi i këtij festivali në ekranin e vogël, Sevdail Hyseni, tha midis tjerash, se “Vallet popullore, me ritmet, lëvizjet dhe ngjyrat e tyre të veçanta, do t’u ofrojnë nxënësve mundësinë për të njohur dhe vlerësuar diversitetin kulturor. Këto valle nuk janë thjesht performanca artistike, por pasqyrë e historive, traditave dhe identitetit të secilit komunitet. Përmes tyre, nxënësit do të mësojnë se kultura është një urë, që lidh dhe jo një mur që ndan”.
Në këtë drejtim, një kontribut të veçantë e dhanë, gjatë diskutimeve të tyre edhe profesorët Hyseni Saqipi, nga Shkolla e Mesme “Sezai Surroi” nga Bujanoci, profesoresha Ivana Mitroviq, nga Shkolla Profesionale “Sveti Sava” nga Bujanoci dhe pedagogu Nexhmedin Veliu, nga Gjimnazi “Skënderbeu”, në Preshevës. Të pranishëm ishin edhe profesorët e tjerë: Metali Krasniqi, Hyrmete Veliu dhe koreografi Burhan Limani.
Emërues i përbashkët i këtyre diskutimeve ishte “Mesazhi i këtij video-filmi është i fuqishëm dhe universal: respekti për diversitetin, bashkëjetesa dhe harmonia janë vlera që duhet të promovohen në çdo shoqëri. Përmes këtij aktiviteti, synohet që të rinjtë të frymëzohen të ndërtojnë marrëdhënie të mira mes komuniteteve dhe të jenë promotorë të një të ardhmeje të ndritur dhe të bashkuar.
Në fund, doli edhe propozimi i përbashkët, se ky video-film, nuk është vetëm një dritare për traditat kulturore, por edhe një thirrje për dialog, mirëkuptim dhe unitet.