Finlanda ka kryesuar “Renditjen Botërore të Lumturisë” për të tetin vit radhazi – por tërheqja e vërtetë për udhëtarët qëndron te vlerat thelbësore të vendit: ekuilibri, natyra dhe kënaqësia e përditshme.
Finlandezët e pranojnë titullin e vendit të lumtur, që ju dha nga Raporti Botëror i Lumturisë i Kombeve të Bashkuara në muajin mars të vitit 2025 për të tetin vit me radhë, ‘me një ngritje supesh dhe një rrotullim të syve’.
Megjithëse koncepti i lumturisë në Finlandë është i ndërlikuar dhe specifik, ai është thellësisht i rrënjosur në jetën e përditshme. Në vend që të kërkojnë vazhdimisht emocione të forta, finlandezët i japin rëndësi ekuilibrit, lidhjes me natyrën dhe kënaqësisë së qetë – cilësi që po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorët. Dhe për udhëtarët, kjo mënyrë jetese nuk është thjesht diçka për t’u vëzhguar, por një përvojë për t’u përfshirë vetë: përmes natyrës, saunës, ushqimit, dizajnit të qëndrueshëm dhe stilit të jetës finlandeze.
“Ne e shohim lumturinë finlandeze si një përmbledhje të këtyre pesë elementeve”, thotë Teemu Ahola, drejtor i operacioneve ndërkombëtare në Visit Finland, “por ne nuk e masim apo mbledhim të dhëna për ta vlerësuar lumturinë si një atraksion më vete”.
Për të përjetuar këto aspekte të prekshme dhe autentike të jetës finlandeze që qëndrojnë në themel të renditjes së saj të qëndrueshme në lumturi, Ahola sugjeron kulturën e saunës finlandeze si një atraksion gjithnjë e më popullor dhe më i dallueshëm në nivel global; dhe thekson se Finlanda është një vend i sigurt, duke përmendur si një nga të vetmet rreziqe të mundshme për turistët vizitorë përplasjen e rastësishme me drerët që enden të lirë në Lapland-in verior.
Ndërkohë, ai shton se një brez i ri dhe shefash finlandezë ka fituar respekt ndërkombëtar dhe ka nxitur interes për skenën kulinare finlandeze.
Finlanda është shtëpia e restorantit me yllin “Michelin” – Tapio, në Ruka-Kuusamo; ndërsa rajoni i liqeneve Saimaa u shpall Rajon Europian i Gastronomisë në vitin 2024.
Shumë restorante në të gjithë Helsinkin festojnë pasuritë e ngrënshme – kërpudhat, manaferrat, peshkun dhe mishin e egër – që janë të arritshme për të gjithë në pyjet pa fund të vendit, në arkipelagun bregdetar dhe në rrjetin e ujërave të brendshme, falë ligjit finlandez Jokaisenoikeudet apo “E drejta e gjithkujt”, që u garanton të gjithëve lirinë për të lëvizur dhe mbledhur ushqim në natyrë./Marrë nga një shkrim më i zgjeruar në “Bulevard”/ Perspektiva/