Në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, më 16 maj, u mbajt “Festa e Abetares”, një festë gjithëkombëtare që mblodhi së bashku shkolla nga të gjitha trevat shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, në Prizrenin e bukur, duke krijuar një atmosferë të veçantë uniteti dhe krenarie kombëtare.
Në këtë festë ishin edhe nxënës nga Shkolla Fillore” Muharrem Kadriu” nga Tërnoci në përcjelljen e drejtoreshës Leonora Mehmeti dhe mësueses Arta Shabani.
Ndërkaq nxënësit ishin të shoqëruar edhe nga Albulena Beqiri shefe e kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.
Nxënësit përmes këngëve, valleve, recitimeve dhe punimeve artistike, sollën trashëgiminë kulturore dhe shpirtin shqiptar nga çdo cep i trojeve tona. Kjo festë e rëndësishme jo vetëm që forcon lidhjet mes shkollave, por shërben si dëshmi e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe historinë tonë të përbashkët. /Perspektiva/