HomeHumor - Argëtim“VALLEY FILM FESTIVAL” NË BUJANOC

“VALLEY FILM FESTIVAL” NË BUJANOC

Pas tre ditësh të mbushura me filma dhe aktivitete kulturore, është përmbyllur, më 22 qershor,  edicioni i parë i “Valley Film Festival”, i cili u mbajt në Bujanoc, duke e shndërruar këtë qytet në qendër të artit dhe kulturës filmike në Luginë.

Gjatë festivalit u shfaqën disa filma të metrazhit të gjatë, përfshirë “Vera ëndërron detin”, “Illyricvm” dhe “Kthimi”, ndërsa publiku pati mundësinë të ndjekë edhe dhjetëra filma të metrazhit të shkurtër, të cilët ishin pjesë e garës për çmimet e festivalit.

Kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, me rastin e hapjes së edicionit të parë të Valley Film Festival në Bujanoc, shprehu zotimin e tij të qartë për të mbështetur këtë ngjarje të rëndësishme kulturore.

“Valley Film Festival do të ketë gjithmonë mbështetjen e Komunës së Bujanocit. Që nga viti i ardhshëm, festivali do të jetë pjesë e buxhetit komunal si kategori e veçantë, sepse kjo iniciativë i jep vlerë qytetit tonë dhe krijon mundësi të reja për të rinjtë dhe artdashësit,” u shpreh Pajaziti. Ai theksoi se Komuna e Bujanocit është e vendosur të investojë në zhvillimin kulturor të qytetit, duke e parë Valley Film Festival si një platformë që do të rrisë imazhin pozitiv të Bujanocit dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime kulturore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Ndërsa,  në hapjen e edicionit të parë të Valley Film Festival në Bujanoc, Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, mbajti një fjalim të veçantë, duke theksuar rëndësinë e promovimit të kulturës dhe artit në Luginë.

Ambasadori Canaj vuri në dukje se Shqipëria do të jetë gjithmonë e përkushtuar në mbështetjen e nismave kulturore që pasurojnë jetën artistike të shqiptarëve në Luginë, duke e konsideruar kulturën si një urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve. Ai uroi që Valley Film Festival të bëhet një traditë e përvitshme dhe një hapësirë frymëzimi për artistët e rinj, duke shprehur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për zhvillimin e mëtejshëm kulturor në këtë rajon.

Juria e përbërë nga Kastriot Saqipi, Kastriot Abdyli dhe Hazir Aziri ndau çmimet në kategoritë kryesore:

Çmimi Special: Lir Ademi për filmin “Qershia e paharruar”,  Montazhi më i mirë: Hana Ahmeti për filmin “Adelina”,  Aktori më i mirë: Ermal Sadiku për rolin në “Qershia e paharruar”, Regjia më e mirë: Granit Dragaj për filmin “Shering”, Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër: “Losing us”.

Festivali u mbështet nga Komuna e Bujanocit, Ambasada e Shqipërisë në Serbi, shoqatat nga diaspora si dhe disa biznese lokale.

Organizatorët artistikë, Kushtrim Asllani dhe Blerim Hyseni shprehën synimin që “Valley Film Festival” të shndërrohet në një ngjarje tradicionale që do të pasurojë jetën kulturore dhe artistike të rajonit.

Ndërkohë, në hapje të festivalit, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, premtoi se ky event do të futet në kalendarin vjetor të buxhetit komunal./Perspektivapress/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments