HomeHumor - ArgëtimBIBLIOTEKA “MEHMET JUSUFI” – 84 VJET VATËR E DIJES DHE KULTURËS NË...

BIBLIOTEKA “MEHMET JUSUFI” – 84 VJET VATËR E DIJES DHE KULTURËS NË PRESHEVË

Sot në Preshevë u shënua 84-vjetori i themelimit të bibliotekës së qytetit “Mehmet Jusufi”, një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore të komunës, e cila prej dekadash ka qenë strehë e dijes, kulturës dhe shpirtit qytetar.

Manifestimi u hap me një program artistik nga kori i shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, nën dirigjimin e profesorit Valbon Halimi. Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e bibliotekës, znj. Albina Azizi, vlerësoi kontributin e brezave që kanë dhënë jetë këtij institucioni:

“Është nder i veçantë që sot, së bashku, festojmë 84-vjetorin e bibliotekës sonë. Në këto mure janë rritur shumë nxënës që sot janë bërë mësues, fëmijë që kanë zbuluar botën përmes përrallave, si dhe lexues të rinj që sot janë shkrimtarë. Kontributi i punonjësve të vjetër e të rinj është një thesar i çmuar shpirtëror, pa të cilët biblioteka nuk do të ishte kjo që është sot. Ne do të vazhdojmë të punojmë për pasurimin me libra në gjuhën shqipe dhe për ta avancuar bibliotekën drejt teknologjisë moderne dhe digjitalizimit”, u shpreh Azizi.

Në kuadër të programit u prezantua edhe një material filmik kushtuar ish-punëtorëve të bibliotekës, të cilët ndanë kujtime të rrugëtimit të tyre. Atmosfera festive u pasurua më tej nga këngë, poezi dhe valle të shoqatës kulturore “Art Classic”, nën përkujdesjen e prof. Bashkim Halimit.

Në këtë ditë të veçantë morën pjesë personalitete të jetës institucionale dhe kulturore: kryetarja e komunës znj. Ardita Sinani, zëvendëskryetari z. Ragmi Mustafa, kryetari i kuvendit komunal z. Agim Sabedini, si dhe drejtues të bibliotekave nga rajoni – përfaqësues nga Gjilani, Tetova dhe autorja nga Prishtina, znj. Eva Qerimi.

Në fund të manifestimit u ndanë mirënjohje për ish-punëtorët e bibliotekës, për shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, shoqatën “Art Classic” dhe nxënësit që morën pjesë në program.

Ky përvjetor nuk ishte vetëm një rikthim në kujtesë për historinë e pasur të bibliotekës, por edhe një premtim për të ardhmen – që biblioteka “Mehmet Jusufi” të mbetet edhe më tej një vatër e dijes, kulturës dhe identitetit qytetar në Preshevë./ Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments