Më 13 nëntor 2025, nën organizimin e Shtëpisë Botuese “Zëri i Luginës” nga Presheva, u realizua me sukses promovimi i dy librave: “Takimi me shpirtin” i autorit Hamim Çilafi nga Shkupi dhe “Doracaku për të Drejtat e Shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, i përgatitur nga Fatlind Azizi dhe botuar nga Instituti Demokratik Mozaik.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të programit kulturor “Nëntor Lugine”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe me përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, mori pjesë në promovim dhe vlerësoi këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe mendimit shqiptar në Luginë, duke e cilësuar si “një ditë të bukur për kulturën dhe mendimin shqiptar në Luginë”.
Ngjarja shënoi një moment të veçantë për afirmimin e librave dhe promovimin e vlerave kulturore të komunitetit shqiptar në rajon./Perspektiva/

