Më 14 nëntor 1908 në Manastir filloi një nga ngjarjet më të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare – Kongresi i Manastirit, i njohur gjithashtu si Kongresi i Alfabetit. Ky kongres historik mblodhi 150 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe komunitetet shqiptare në diasporë, nga vende si Rumania, Italia, Greqia, Turqia, Amerika dhe Egjipti, me qëllim të përcaktimit të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe.
Në fillim të shekullit XX, gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe, ishin krijuar disa alfabete të ndryshme, përfshirë Alfabetin e Stambollit. Një pjesë e dijetarëve dhe intelektualëve shqiptarë mendonin se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes dhe për konsolidimin e unitetit gjuhësor dhe kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria e njohur “Bashkimi” në Manastir organizoi Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin dhe vendosjen e një alfabeti të njësuar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, redaktor i revistave “Liria” dhe “Dituria”, ndërsa sekretare e komisionit u emërua Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Një nga momentet më të rëndësishme të kongresit ishte kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, i cili kërkoi që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet latin, duke përjashtuar përdorimin e shkronjave arabe dhe greke.
Me votë unanime, Kongresi vendosi të largojë Alfabetin e Stambollit dhe të adoptojë alfabetin latin me 36 shkronja, të cilin e përdorim edhe sot. Një tjetër vendim historik ishte ngritja e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt qendra e shpërndarjes së librave dhe gazetave shqipe, duke fuqizuar edukimin dhe kulturën kombëtare.
Kongresi i Manastirit shënoi një moment kyç në historinë e Shqipërisë, duke krijuar bazën e një letërsie mbarëkombëtare dhe duke forcuar identitetin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve në të gjitha trojet./Perspektiva/

