Aktori i njohur turk Can Yaman është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Hora Skanderbeg” në kuadër të festivalit “Cannolo Fest”, që po mbahet në Piana degli Albanesi. Ky aktivitet kulturor, i cili nisi më 16 maj dhe përmbyllet sot, promovon traditën arbëreshe, kulturën lokale dhe lidhjen mes identiteteve të ndryshme kulturore.
Çmimi “Hora Skanderbeg” u ndahet figurave të njohura të artit, kulturës dhe argëtimit që me angazhimin dhe ndikimin e tyre kontribuojnë në promovimin e dialogut kulturor dhe afirmimin ndërkombëtar të vlerave tradicionale të rajonit.
Can Yaman, i cili gëzon famë të madhe në botën e serialeve turke dhe italiane, ka folur shpesh për rrënjët e tij shqiptare. Ai ka treguar se nëna e tij është me origjinë nga Kosova, ndërsa familja e babait i përket diasporës shqiptare që ishte vendosur në Turqi dekada më parë.
Në deklaratat e tij publike, aktori ka kujtuar edhe gjyshërit e tij, të cilët kishin ardhur në Turqi gjatë periudhave të luftës dhe ruanin gjuhën shqipe brenda familjes.
Karriera e Yamanit është ndërtuar kryesisht në industrinë e kinematografisë turke, ku ai është bërë një nga emrat më të njohur të ekranit. Kohët e fundit, ai është angazhuar në projektin ndërkombëtar “Sandokan”, serial që po realizohet në Itali dhe që pritet të tërheqë vëmendje të madhe të publikut evropian./Perspektiva/

