Në ambientet e UBT-së u promovua libri më i ri i profesorit dhe gazetarit Musa Sabedini, “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”,një vepër që po vlerësohet si kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe rajon.
Ngjarja mblodhi rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorë, studentë, studiues të medias dhe përfaqësues të komunitetit akademik e gazetaresk. Gjatë promovimit u zhvillua një diskutim i hapur mbi sfidat bashkëkohore të gazetarisë hulumtuese, dilemat etike dhe rolin e saj në funksionimin e demokracisë.
Rektori Hajrizi e cilësoi librin si një nga veprat më cilësore në fushën e gazetarisë hulumtuese në hapësirën akademike shqiptare, ndërsa dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, Ferid Selimi, vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të profesor Sabedinit në formimin profesional të studentëve të gazetarisë.
Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, theksoi se vepra vjen në një kohë kur gazetaria po përballet me transformime të thella si pasojë e teknologjisë digjitale, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së thellësisë dhe rigorozitetit profesional. Ai potencoi strukturimin e librit në tri pjesë, si dhe vlerën praktike të 101 pyetjeve dhe udhëzimeve për gazetarinë hulumtuese.
Autori Musa Sabedini u shpreh se libri përfaqëson kulmin e një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetari dhe shërben si udhërrëfyes profesional, etik dhe akademik për studentët dhe gazetarët. Sipas tij, gazetaria hulumtuese mbetet një shtyllë themelore e demokracisë dhe kërkon integritet, guxim dhe përkushtim ndaj së vërtetës./Perspektiva/

