HomeKulturëPËRUROHET LIBRI “DËSHMITË E NJË DEKADE

PËRUROHET LIBRI “DËSHMITË E NJË DEKADE

Në Preshevë, më 26 mars, u organizua përurimi i librit të autorit Nexhat Agushi, me titull “Dëshmitë e një dekade” – një ditar kujtimesh që përfshin periudhën 1989–1999, një ndër dekadat më të trazuara dhe më vendimtare për fatin e shqiptarëve në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.

Ky përurim u zhvillua në një ambient të përzgjedhur, vetëm me të ftuar, ku morën pjesë konsulentët e librit dhe anëtarë të tjerë rreth njëzet sosh, si dhe personalitete të jetës publike, kulturore e arsimore. Diskutimet e zhvilluara gjatë këtij aktiviteti nxorën në pah rëndësinë e veçantë që ka kjo vepër, jo vetëm si një rrëfim personal, por si një dokument me vlera të qëndrueshme historike.

Takimin e udhëhoqi Shkëlzen Limani, ndërsa për librin folën redaktori Sevdail Hyseni dhe vetë autori, profesor Nexhat Agushi. Në vijim të diskutimeve u përfshinë edhe emra të njohur si: Shkodran Ismaili, Avni Shaqiri, Ramiz Latifi, Nexhmedin Ahmedi, Qëndrim Hetemi, Bilall Maliqi, Xhemaledin Salihu, Sadik Sadiku, Imran Pajaziti, Hysen Saqipi etj., të cilët ndanë vlerësimet e tyre për përmbajtjen dhe rëndësinë e kësaj vepre. Diskutimet u karakterizuan nga një qasje e hapur dhe analitike mbi vlerat e veprës, duke theksuar rëndësinë e saj në planin publicistik, historik dhe studimor.

Pjesëmarrësit vlerësuan librin si një dëshmi autentike e periudhës 1989-1999, e ndërtuar mbi kujtime personale dhe përjetime kolektive, që pasqyron zhvillimet politike, shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë. U theksua veçanërisht karakteri dokumentar i veprës, i pasuruar me fakte, data dhe materiale origjinale, duke e bërë atë një burim të rëndësishëm për studiuesit dhe brezat e rinj./Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments