Salla e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc u mbush me buzëqeshje, emocione dhe duartrokitje të ngrohta, teksa nxënësit e klasave të para të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, festuan me krenari përfundimin e Abetares, një nga momentet më të rëndësishme në jetën e tyre shkollore.
Në një atmosferë festive dhe plot entuziazëm, vogëlushët u ngjitën për herë të parë në skenë, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt dijes dhe edukimit. Përmes një programi të pasur artistik me recitime, këngë, valle dhe lojëra të ndryshme, ata dëshmuan para prindërve, familjarëve dhe mysafirëve të pranishëm njohuritë e fituara gjatë vitit të parë shkollor.
Me shumë krenari, nxënësit treguan se tashmë kanë zotëruar 36 shkronjat e alfabetit shqip, duke hapur një kapitull të ri në botën e leximit, shkrimit dhe mësimit.
Kjo festë e veçantë ishte rezultat i përkushtimit të madh të mësueseve, të cilat me profesionalizëm, durim dhe dashuri i kanë udhëhequr fëmijët në hapat e tyre të parë drejt arsimit. Po ashtu, mirënjohje e veçantë u takon prindërve, të cilët kanë qenë mbështetës të vazhdueshëm në këtë proces të rëndësishëm.
Urime të gjithë nxënësve për këtë sukses të parë të madh! Rruga e dijes sapo ka filluar dhe para tyre shtrihen horizonte të reja të mësimit, zhvillimit dhe sukseseve. Suksese vogëlushë në çdo hap të rrugëtimit tuaj arsimor!/Perspektiva/

