Më 4 maj, në Shkollën Fillore “Dituria” në Corroticë të Preshevës u organizua me shumë gëzim, emocion dhe entuziazëm Festa e Abetares, një nga ngjarjet më të rëndësishme për nxënësit e klasës së parë, të cilët kanë hedhur hapat e tyre të parë në botën e shkronjave, leximit dhe dijes.
Përmes recitimeve, këngëve, valleve dhe aktiviteteve të ndryshme artistike, nxënësit shfaqën njohuritë e fituara gjatë vitit shkollor, duke dëshmuar përkushtimin dhe përparimin e tyre në procesin e të nxënit. Kjo festë simbolizon përmbylljen me sukses të një etape të rëndësishme në rrugëtimin e tyre arsimor dhe mbetet një kujtim i veçantë për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit.
Një falënderim i veçantë i takon mësueses Arlinda Agushi, e cila me përkushtim, dashuri dhe profesionalizëm organizoi këtë aktivitet të bukur dhe u kujdes me përzemërsi për edukimin dhe zhvillimin e nxënësve të saj. Puna dhe angazhimi i saj përbëjnë një kontribut të çmuar në formimin e brezave të rinj.
Urime të gjithë nxënësve për këtë arritje të rëndësishme! Ju dëshirojmë suksese të vazhdueshme në rrugën e dijes, mësimit dhe realizimit të ëndrrave tuaja./Perspektiva/

