Në një atmosferë të mbushur me emocione, buzëqeshje dhe duartrokitje, në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc u shënua Festa e Abetares, një nga ngjarjet më të veçanta në jetën shkollore të nxënësve të klasave të para.
Nën përkujdesjen e mësueseve Selime Bajrami, Merita Junuzi, Afërdita Sulejmani dhe Arbnora Ibrahimi, vogëlushët dhuruan një program të pasur artistik me këngë, recitime dhe interpretime të ndryshme, duke dëshmuar njohuritë dhe talentin e tyre të fituar gjatë vitit shkollor.
Me këtë rast, drejtoresha e shkollës, Leonora Mehmeti, uroi nxënësit për arritjen e tyre të parë të rëndësishme në rrugën e dijes.
“Me buzëqeshje të pafajshme, me zëra të vegjël e zemra të mëdha, vogëlushët tanë i dhanë jetë Festës së Abetares – një ditë që mbetet gjatë në kujtesën e secilit prind, mësues dhe fëmije. Urime nxënësve tanë të klasave të para për këtë rrugëtim të bukur që sapo ka filluar. Mirënjohje të veçantë për mësueset tona, të cilat me përkushtim dhe dashuri mbollën shkronjën e parë në zemrat e tyre. Le të mbetet libri shoku më i mirë i fëmijëve tanë dhe shkolla vendi ku ëndrrat marrin krahë”, u shpreh ajo.
Festa e Abetares shënoi një moment të veçantë për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, duke kurorëzuar përpjekjet e një viti të tërë dhe duke hapur një kapitull të ri në rrugëtimin e tyre drejt dijes dhe suksesit./Perspektiva/

