Në një atmosferë të ngrohtë kulturore, në mbrëmjen e 31 korrikut, oborri i “Zërit të Luginës” në Preshevë u shndërrua në një qendër takimi për dashamirët e librit, studiuesit, intelektualët dhe përfaqësuesit e institucioneve nga Presheva, Bujanoci, Gjilani, Prishtina, Kumanova dhe Shkupi. Ngjarja u organizua me rastin e promovimit të librit “Rrëfime për kufijtë e Luginës së Preshevës”, të autorit Skënder Latifi, botuar nga Botimet KOHA në Prishtinë.

Promovimi nuk ishte thjesht prezantim i një botimi të ri, por një mbrëmje reflektimi mbi historinë, kujtesën kolektive dhe identitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përmes një bisede të hapur dhe interaktive mes autorit dhe të pranishmëve, u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me kufijtë historikë, zhvillimet shoqërore dhe sfidat e ruajtjes së trashëgimisë sonë kombëtare.
Recensenti i librit, Prof. Dr. Ferid Selimi, e cilësoi këtë botim si një burim të çmuar historik dhe shkencor, duke theksuar se libri sjell dokumentim serioz dhe dëshmi të rëndësishme për të kaluarën e Luginës së Preshevës.
Ndërkaq, publicisti i njohur nga Shkupi, Emin Azemi, foli për rëndësinë e veprës në ndriçimin e shumë ngjarjeve dhe fakteve historike që deri më tani kanë qenë pak të njohura për opinionin publik. Sipas tij, libri i Skënder Latifit pasuron fondin e literaturës që trajton historinë dhe zhvillimet e kësaj treve, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive.
Në fund të aktivitetit u shprehën falënderime të veçanta për moderatorin Shkodran Ismaili, i cili udhëhoqi me profesionalizëm promovimin, si dhe për të gjithë ekipin organizues që bëri të mundur realizimin e këtij aktiviteti kulturor, edhe në kulmin e sezonit të pushimeve verore. Ky organizim dëshmoi se përkushtimi për librin, kulturën dhe historinë mbetet i pandërprerë, pavarësisht sfidave apo periudhave të vitit./Perspektiva/

