Bujanoc, 1 gusht 2026 – Me organizimin e shoqatës Lugina Bike, në Bujanoc u zhvillua aktiviteti tradicional “Tour de Lugina 2026”, i cili mblodhi dhjetëra dashamirës të çiklizmit nga Lugina e Preshevës dhe rajoni, duke e shndërruar këtë ngjarje në një festë të sportit, natyrës dhe bashkëpunimit.
Ky aktivitet, i cili tashmë është bërë pjesë e kalendarit tradicional sportiv të komunës, synon jo vetëm promovimin e çiklizmit dhe jetesës së shëndetshme, por edhe forcimin e lidhjeve ndërmjet pjesëmarrësve, kultivimin e frymës së miqësisë dhe prezantimin e pasurive natyrore që ofron Lugina e Preshevës.
Pjesë e këtij organizimi ishte edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili iu bashkua çiklistëve dhe përgëzoi organizatorët për përkushtimin dhe profesionalizmin në realizimin e këtij eventi.
“Sot pata kënaqësinë t’i bashkohem aktivitetit ‘Tour de Lugina 2026’, një ngjarje që mblodhi dashamirës të çiklizmit nga Lugina dhe më gjerë. Përveç promovimit të sportit dhe jetesës së shëndetshme, ky aktivitet përcolli një mesazh të bukur për miqësinë, bashkëpunimin dhe promovimin e bukurive të rajonit tonë,” u shpreh Pajaziti.
Ai falënderoi shoqatën Lugina Bike për organizimin e suksesshëm dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në mbarëvajtjen e aktivitetit, duke theksuar se “Tour de Lugina” tashmë është shndërruar në një traditë që meriton të zgjerohet dhe të rritet nga viti në vit.
Sipas tij, pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte një mundësi e shkëlqyer për të përjetuar nga afër bukuritë natyrore të rajonit, duke dëshmuar se sporti mund të jetë një urë e rëndësishme për promovimin e turizmit, vlerave mjedisore dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve.
“Tour de Lugina” po dëshmon se është shumë më tepër se një aktivitet sportiv. Ai është shndërruar në një platformë që bashkon njerëzit rreth vlerave pozitive, nxit aktivitetin fizik, promovon respektin për natyrën dhe e vendos Luginën e Preshevës në hartën e ngjarjeve sportive me karakter rajonal./Perspektiva/

