Preshevë, 10 tetor 2026 – Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks”, që vepron në territorin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ka mbajtur Kuvendin e rregullt zgjedhor, gjatë të cilit janë shqyrtuar rezultatet e mandatit të kaluar dhe janë zgjedhur organet drejtuese për mandatin e ardhshëm.
Kuvendi u mbajt në ambientet e Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, me pjesëmarrjen e anëtarëve të shoqatës, të cilët diskutuan për veprimtarinë e zhvilluar gjatë periudhës 2022–2026, si dhe për sfidat dhe objektivat që e presin organizatën në vitet e ardhshme.
Në fillim të punimeve, kryetari aktual paraqiti raportin e punës dhe atë financiar për mandatin e kaluar, të cilët u miratuan nga të pranishmit.
Në kuadër të procesit zgjedhor, prof. Rexhep Abazi nga Medvegja u rizgjodh kryetar i Kuvendit të Shoqatës, ndërsa për zëvendëskryetarë u zgjodhën Marigona Fejzullahu-Salihi nga Presheva dhe Halim Hasani nga Bujanoci.
Po ashtu, prof. Avni Shaqiri u rizgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, duke marrë besimin e anëtarëve për një mandat të ri në drejtimin e kësaj organizate letrare.
Për nënkryetare të shoqatës u zgjodhën Valbona Hasani për Preshevën, Jalldëze Kasumi për Bujanocin dhe Majlinda Shaqiri për Medvegjën.
Ndërkaq, në përbërjen e Kryesisë së Shoqatës, nga Presheva u zgjodhën Nexhat Agushi dhe Havushe Kasumi Ahmeti; nga Bujanoci, Nehat Ramizi dhe Sevdail Hyseni; ndërsa nga Medvegja, Majlinda Shaqiri.
Në pikën “Të ndryshme”, anëtarët diskutuan për aktivitetet e planifikuara, prioritetet dhe punët që e presin shoqatën gjatë mandatit të ri, me synimin e vazhdimit të veprimtarisë letrare dhe të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet krijuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Rizgjedhja e strukturave drejtuese shënon vazhdimësinë e punës së Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, e cila synon të mbetet një hapësirë e rëndësishme e krijimtarisë letrare, e promovimit të autorëve dhe e ruajtjes së gjuhës e identitetit kulturor shqiptar në Luginën e Preshevës./Perspektiva/

