HomeHumor - ArgëtimShkronjat shqipe bashkojnë nxënësit në Luginën e Preshevës, kremtojnë Ditën e Alfabetit

Shkronjat shqipe bashkojnë nxënësit në Luginën e Preshevës, kremtojnë Ditën e Alfabetit

Preshevë – Bujanoc, 20 nëntor – Në frymën e festës së gjuhës shqipe dhe të kujtesës sonë kombëtare, nxënësit e shkollave fillore në Luginën e Preshevës kanë shënuar Ditën e Alfabetit, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për dashurinë ndaj gjuhës amtare, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Përmes një programi të pasur kulturor e artistik, nxënësit e shkollës fillore “Abdulla Krashnica” në Miratoc, “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë dhe “Naim Frashëri” në Bujanoc, rikthyen në kujtesë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare – Kongresin e Manastirit të vitit 1908, i cili shënoi një kthesë historike në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Përmes recitimeve, këngëve, interpretimeve artistike dhe paraqitjeve të ndryshme skenike, fëmijët dëshmuan se gjuha shqipe mbetet një nga shtyllat themelore të identitetit dhe vetëdijes kombëtare. Në skenat shkollore, shkronjat shqipe morën jetë përmes zërave të fëmijëve, të cilët me emocion dhe përkushtim përcollën mesazhin se gjuha amtare duhet të mësohet, të kultivohet dhe të përcillet brez pas brezi.

Këto aktivitete nuk përbëjnë vetëm një shënim simbolik të një date të rëndësishme historike, por edhe një dëshmi të përkushtimit të institucioneve arsimore, mësimdhënësve dhe prindërve për edukimin e brezave të rinj me vlerat e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.

Aktivitetet janë organizuar nga shkollat përkatëse, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSh), në kuadër të programit “NëntorLuginë 2.0”, i cili realizohet nga KKSh me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Shqipërisë dhe në koordinim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd.

Në këtë frymë festive, organizatorët kanë shprehur mirënjohje të veçantë për drejtuesit e institucioneve shkollore: drejtorin e shkollës fillore “Abdulla Krashnica”, z. Muhamet Mustafa; drejtorin e shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, z. Bardhyl; si dhe drejtorin e shkollës fillore “Naim Frashëri”, z. Xhelal Mustafa.

Falënderime të veçanta u janë adresuar edhe mësimdhënësve, stafit arsimor dhe nxënësve, të cilët me angazhimin, përkushtimin dhe kreativitetin e tyre kontribuuan në realizimin e këtyre aktiviteteve dhe krijuan momente të veçanta për të gjithë të pranishmit.

Dita e Alfabetit është më shumë se një festë e shkronjave. Ajo është festë e gjuhës, e kujtesës historike dhe e identitetit shqiptar.Në Luginën e Preshevës, ku mësimi dhe kultivimi i gjuhës shqipe kanë një rëndësi të veçantë për vazhdimësinë kulturore e kombëtare, zërat e fëmijëve që këndojnë, recitojnë dhe flasin shqip përbëjnë një mesazh shprese për të ardhmen.

Sepse alfabeti që u njësua në Manastir nuk është vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por një pasuri që duhet ruajtur, kultivuar dhe përcjellë te çdo brez i ri shqiptar./Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments