Pas një përgatitje të vonuar, Gjermania më në fund ndërmori vendimin për të dërguar armatim të rëndë në Ukrainë. Por, tanket anti-raketore ‘Gepard’ që Gjermania po i ofron janë të vjetruara dhe kanë mungesë të municionit. Prodhuesi i ka të gatshme vetëm rreth 23 mijë copë të tilla. Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë ka njoftuar se ajo do të kërkojë për municion rezervë në vendet si Jordania, Brazili dhe Katari. Teksa Rusia po shkatërron fqinjin e saj – duke vrarë, torturuar dhe dhunuar civilët e saj – Gjermania ka mbetur e zhytur në një rrëmujë të konfuzionit.
Të dy vendet kanë tradita të pasura ushtarake, duke u udhëhequr si perandori totalitare në shekullin e 20-të. Rrugët e tyre u ndanë pasi disfatës së Hitlerit, por vendet vazhduan të veprojnë në mënyrë simetrike. Në veçanti, teksa Gjermania hoqi dorë nga imperializmi, besimi në një Sonderweg (mision special) në histori ka ruajtur rrënjët e tij.
Ky besim, i lindur nga pozicioni imperial i Gjermanisë në mes Rusisë autokratike dhe Perëndimit liberal-demokratik, ka mundësuar rritjen e të gjitha pozicioneve të rrezikshme dhe të papërgjegjshme të politikës së jashtme, që nga shekulli i 19 ‘Drang nach Osten’ (rrugëtimi për në Lindje) dhe vizionit të Mitteleuropa (Lidershipi gjerman i Evropës Qëndrore) deri tek kërkimi i Hitlerit për Lebensraum (hapësira jetësore) dhe tek Ostpolitik (përafrimi me Gjermaninë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik) e Kancelarit të Gjermanisë Perëndimore, Willy Brandt. Në mënyrë mjaftë interesante, Ukraina ishte shpesh në zemër të këtyre strategjive.
Në këtë kontekst, ta përshkruash Gjermaninë e pasluftës si “paqësore” është ta zgjedhësh termin më tolerant. Të tjerët do ta atribuonin qëndrimin e politikës së jashtme të Gjermanisë jo aq shumë si një heqje dorë e militarizmit sa një lakmi, oportunizëm dhe cinizëm në pjesën e liderëve të saj biznesorë dhe të politikanëve. Në fund të fundit, në mesin e mbështetësve më të fuqishëm për dërgimin e armëve të rënda drejt Ukrainës janë të Gjelbrit- paqësorët e supozuar.
Pse Gjermania nuk mundet ta trajtojë Ukrainën më mënyrë të njëjtë siç e trajtojnë vendet e tjera të Evropës Perëndimore?
Refuzimi për të dërguar armë në zonat e konfliktit e barazon agresorin me viktimën. Për javë të tëra, politik bërësit gjermanë, duke refuzuar ta pranojnë këtë, bllokuan vendet e tjera të NATO-s për të dërguar armë drejt Ukrainës.
Pse ukrainasit kanë pranuar më shumë armë nga Estonia (në total 341 milionë dollarë) se sa prej Gjermanisë (në total prej 184 milionë dollarësh), një shtet që ka ekonomi 100 herë më të madhe se vendi baltik? Madje edhe në termat e ndihmave financiare dhe humanitare, mbështetja e Gjermanisë ka qenë zhgënjyese. Çka ndodhi me “kurrë më?
Deklaratat dhe vendimet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që nga fillimi i luftës nuk kanë qenë tjetër pos të paparamenduara. Mendojeni përmbledhjen pasuese të Thomas Theiner, një drejtor filmi me seli në Kiev dhe një ish-oficier italian ushtarak që është duke punuar në një dokumentar për qëndrimet e Scholz.
Në fundin e shkurtit, Scholz kishe kërkuar një listë nga industria gjermane e mbrojtjes për armët në dispozicion, por që kishte larguar nga aty të gjitha armët kyqe që Ukraina i kërkonte para se ta dërgonte listën tek ambasadori ukrainas.
Kur mediat kishin zbuluar listën origjinale, Scholz kishte pretenduar se armëve të larguara nga lista u duhej më shumë kohë deri sa të dërgoheshin.
Industria e mbrojtjes i kishte mohuar këto pretendime, por Scholz kishte gjetur një arsyetim të ri: Forcat e armatosura të Ukrainës nuk do të mund të trajnoheshin për përdorimin e tyre brenda kohës në dispozicion. Mirëpo ekspertët gjermanë të mbrojtjes e mohuan edhe këtë pohim, duke theksuar se ukrainasit mund ta mësonin përdorimin e armëve brenda 2 ose 3 javëve, njëjtë siç kanë mësuar përdorimin e armëve australiane, kanadeze, amerikane dhe franceze.
Scholz pastaj u fut në një gropë edhe më të thellë duke pretenduar se do të duhej që NATO ta aprovonte dërgimin e armëve. Kur zyrtarët e NATO-s dhe vetë gjeneralët e Gjermanisë e mohuan këtë pretendim, Scholz u përpoq të argumentonte se asnjë tjetër vend i NATO-s ose anëtar i BE-së nuk po dërgonte armë të rënda në Ukrainë. Me të dëgjuar këtë arsyetim, zyrtarët nga ShBA, nga Mbretëria e Bashkuar, Australia, Polonia, Çekia, Sllovakia, Rumania, Turqia, Italia, Finlanda, Danimarka, Rumania dhe Holanda shpalosën të gjithë listën e armëve të rënda që ishin duke e dërguar drejt Ukrainës.
Siç raporton Theiner, Scholz atëherë njoftoi për një furnizim të armëve që kapte vlerën e 2 miliardë eurove, por deputetët gjermanë së shpejti zbuluan se qeveria në të vërtetë po alokonte vetëm një miliard euro, dhe që kjo ndihmë nuk do të ishte gati për 2-3 muaj. Pasi që Shtetet e Bashkuara, Franca, Polonia, Rumania, Japonia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar e konfrontuan kancelarin gjerman, ai u arsyetua përsëri dhe deklaroi se Ukraina mund t’i pranojë 1 miliardë euro pa vonesë dhe që mund të porosisë çfarëdo që ajo dëshiron nga lista e armëve në dispozicion. Por, ambasadori i Ukrainës në Berlin atëherë shpalosi se Scholz i kishte larguar nga lista të gjithë artikujt që Ukraina në të vërtetë i dëshironte nga lista. Scholz pastaj kishte paralajmëruar se vendet që furnizojnë Ukrainën me pajisje luftarake do të ishin të hapura nga një sulm bërthamor nga Rusia. Procesi i pushtimit po vazhdon ende.
As Scholz e as kritikët e tij të brendshëm duket se nuk janë duke e kuptuar së çfarë ndikimi është duke pasur dështimi i tij bindës në shtetet si Polonia dhe Çekia, e mos ta përmendim Ukrainën. Neve në Evropën Qëndrore dhe Lindore na u është rikujtuar se jetojmë në mes të dy shteteve që të dyja dëshirojnë ta ndjekin rrugën e tyre unike. Kjo nuk është hamendësim se Gjermania sot është si Rusia, ose që Scholz është sikur Vladimir Putini. Përkundrazi, problemi është se pacifizmi i Gjermanisë është duke inkurajuar militarizmin. Duke refuzuar për t’iu kundërvënë agresorit, Gjermania ka shpërfaqur një shkallë befasuese të desensibilizmit moral.
Si e tillë, Gjermania është duke shkuar drejt një poshtërimi varrosës historik për të cilin ajo do t’i shpenzojë vite të tëra – nëse jo dekada – të kërkim faljes dhe përmirësimit. Por askush nuk do të besojë se kjo është një keqardhje e sinqertë, sidomos jo Evropa Lindore që është partneri më i madh ekonomik i Gjermanisë. Parimi kryesor i politikës së jashtme të Polonisë është e ashtuquajtura ‘doktrina Giedroyc’: Polonia nuk do të jetë e pavarur pa një Ukrainë të pavarur. Ky parim u formulua kur Polonia e pasluftës shprazi iluzionet e veta imperialiste dhe kur pranoi kufijtë e saj lindorë pa Vilniusin dhe Lvivin.
Derisa Gjermania nuk fillon të veprojë si aleatët e saj, një thyerje madhe në Evropë është e pashmangshme. Ukrainasit do ta humbin të gjithë besimin ndaj Gjermanisë dhe pjesa tjetër e Evropës Qendrore dhe Lindore do ta ketë mësuar që të jenë gjithmonë dyshuese ndaj motiveve gjermane, pa marrë parasysh se kush është në pushtet. /Periskopi/
Slwomir Sierakowski është gazetar polak, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna si dhe është anëtar në Këshillin gjerman për Marrëdhëniet e Huaja.