Pas 4 dekadash mungesë Gjirokastra ka më në fund veshjen e plotë të vajzës gjirokastrite. Lizeta Hatika është artizania e parë dhe e vetme që pas rreth 3 viteve punë risolli një riprodhim origjinal, të punuar me dorë, të pirpirisë së Gjirokastrës, me të gjitha elementet autentike të kësaj veshjeje popullore të zhdukur prej kohësh.
Etnografi Stavri Çati që prej vitesh ka qenë kritik me punën e artizanëve në veshjet popullore, pohon se kemi të bëjmë me një prezantim të plotë të kostumit në të gjitha elementet e tij, të realizuar shkencërisht saktë duke sjellë më në fund një riprodhim autentik të veshjes më të bukur të të gjithë zonës së Gjirokastrës.
Etnografi Çati tregon se një veshjeje të tillë I duheshin dikur 6 vite punë për t’u mbaruar, pasi ajo ka në përbërjen e saj 17 elemente që e plotësojnë. Ndërsa artizania Lizeta Hatika rrëfen se është mbështetur mbi një fotografi të vetme për të bërë nxjerrjen e motiveve dhe riprodhimin e kostumit.
Në rrjedhën e kohës stili I veshjes ka ndryshuar duke sjellë modele të ndryshme të kostumit popullor. Pirpiria e parë në formën e vet të plotë risjellë nga artizania gjirokastrite Lizeta Hatika, I përket Kjo e shek 17 dhe është vetëm një nga variantet e pirpirisë gjirokastrite të cilat gjenden në muze të ndryshëm si në Athinë apo Londër, por asnjë në Shqipëri. Hera e fundit kur është parë e veshur pirpiria ka qenë viti 1984.
Fijet e arit dhe mëndafshit ishin ato që mbizotëronin në veshjet e gruas gjirokastrite e që i bënin ato edhe më të çmuara. Pirpirija e Gjirokastrës është konsideruar jo vetëm si mbretëresha e kostumit gjirokastrit, por edhe si më e bukura ndër kostumet e krahinës së Jugut. Pas vitesh të gjata mungese artizanet gjirokastrite po risjellin kostumet dikur të humbura duke pasuruar trashëgiminë tonë kulturore./Perspektiva/