HomeKulturëBesimtarët katolikë festuan Pashkët

Besimtarët katolikë festuan Pashkët

Sot besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën. Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin.

Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishtërimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit. Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm ‘Krishti u Ngjall’! Përgjigja është: ‘Vërtet u Ngjall’!

Pjesë tjetër e traditës së Pashkëve është buka e pashkës ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.

Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

Padyshim që pjesë e tryezës së festimit të Pashkës është mishi i qingjit, duke simbolizuar Krishtin, i cili si qingj erdhi në therore, duke u sakrifikuar për mëkatet e njerëzve (Ungjilli sipas Joanit 1:29, Letra I-rë e Petrit, Zbulesa 5:6)./ shqiptarja/ KultPlus.com/ Perspektivapress

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments