HomeKulturëDIVERSITETI DHE DALLIMET KULTURORE

DIVERSITETI DHE DALLIMET KULTURORE

Shumë shtet të Perëndimit diversitetin dhe dallimet kulturore i vlerësojnë si pasuri dhe vlera me të cilat janë të bekuar si shtet dhe si shoqëri. Pse? Pikërisht këto dy fenomene kanë nxitur studimin e kulturave gjë që ka rezultuar me komunikimin dhe të kuptuarit interkulturor, ndërsa kjo në bashkëjetesë në harmoni të plotë ndëretnike. Gjithsesi, gjatë njohjeve interkulturore është shumë i rëndësishëm pozicioni neutral, i këshilluar nga Levi Straus e i njohur si pozicioni i relativizmit kulturor! Këtu nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga normat, por, mbi të gjitha, bëhet fjalë për një thirrje në të pasurit kujdes, në përmbajtje nga paragjykimet, në respektim të kulturave sa herë që takohemi me ato e që nuk janë të ngjashme si kultura jonë!

Informacioni mbi natyrën e dallimeve kulturore, mbi atë se si u krijuan ato, si u zhvilluan, duhet ta detyrojnë shoqërinë shumicë që të mendohet mirë para se të aplikojë norma e standarde mbi bashkësitë e tjera etnike me të cilat bashkëjeton.

Cili është informacioni i popullit maqedonas mbi kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut! Deri para dy-tre viteve kanë rezistuar që shqiptarët mos t’i kenë as në zyrë; janë pajtuar që më mirë të marrin rrogë e të rrinë në shtëpi se sa t’i kenë në zyrë e të bashkëpunojnë me shqiptarë. Ky refuzim nuk është si pasojë e ndonjë zhgënjimi, nuk është se shpërtheu pas vitit 2001 se ua bëmë një luftë, por, është si pasojë e ngritjes së këtij refuzimi në kulturë nacionale! Urrejtja kundër çdo gjëje shqiptare si kulturë nacionale?!

A është dëgjuar ndonjëherë se si institucionet përkatëse shtetërore të kenë ndërmarrë nismë për ta prezantuar diku në botë kulturën shqiptare si kulturë që dallon nga kulturat e tjera që përbëjnë diversitetin kulturor në këtë shtet. Çdo muaj kemi organizime të prezantimit të kulturës maqedonase nëpër shtete të ndryshme të botës duke krijuar rrejshëm përshtypje se në Maqedoninë e Veriut kemi vetëm një kulturë! Dhe, për më keq, kjo gënjeshtër nacionale institucionalisht sponsorizohet. Po, institucioalisht sponsorizohen edhe aktivitetet kulturore të bashkësive etnike, porse vetëm për konsum të brendshëm, jashtë bota e njeh vetëm kulturën maqedonase!

Shteti asnjëherë nuk denjoi që të hartojë një strategji reklamuese për diversitetin kulturor që është realitet i pazhbëshëm, një diçka që nuk mund ta fshehë e ta mohojë askush. Strategjia nacionale aktuale synon që kultura nacionale e shumicës të perceptohet si kulturë shtetërore dhe, tërë shoqëria të kontribuojë për këtë kulturë shtetërore; ta kuptojë, ta shijojë, t’i duartrokasë, ta njohë ndërsa, kulturën përkatëse secili ta zbres në element tradite që, me kohë, përgjatë procesit të integrimeve (asimilimeve) të harrohet më lehtë dhe më shpejtë.

Madje, pa kurrfarë përgjegjësie, pa kurrfarë frike, për më tepër, institucionalisht të përkrahur, përhapen mësime e studime “akademike” për shqiptarët e këtushëm si pa kulturë, si ardhacakë, si cubë. Këto “konstatime akademike” i përforcojnë duke i mbajtur nëpër bodrume me kushte të egra mijëra fakte arkeologjike që flasin për lashtësinë e popullit shqiptar me kulturë e civilizim po aq të lashtë.

Kultura shqiptare, me tërësinë e vet, në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë një faktor plus që shton turizmin kulturor në vend e që sjell përfitime të konsiderueshme dhe jo të vështrohet si rrezik nacional, ndaj dhe të mohohet, të përçmohet e të injorohet si vlerë e përbotshme. /Hejza/Perspektiva/

Previous article
Next article
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments