HomeKulturë‘Liria e shtypit’, Kanadaja vlerëson Arben Meksin për karikaturën

‘Liria e shtypit’, Kanadaja vlerëson Arben Meksin për karikaturën

Arben Meksi vlerësohet me çmim ekselence në konkursin botëror të karikaturës për ‘Lirinë e shtypit’ të mbajtur në Kanada me pjesëmarrjen e 62 shteteve. Artisti nga Vlora, rrëfen zhanrin artistik në zbehje dhe ëndrrën e tij për të pasur në Lungomare hapësirë për vepra publike, edhe me karikaturë në skulpturë

Arben Meksin ky fillim maji e gjen të renditur mes karikaturistëve që arritën të paraqesin më mirë ngërçet e “Lirisë së shtypit në botë”. 

Në edicionin e 23- të Konkursit Ndërkombëtar  në Kanada, mes 62 shteteve e 470 karikaturave, kjo vepër e tij mori çmimin e ekselencës, me të cilin u vlerësuan 10 artistë. Krijimi i Meksit tërhoqi vëmendjen e jurisë për mesazhin, metaforën e goditur, por edhe realizimin artistik.

“Ishte një çmim i rëndësishëm për karikaturën shqiptare, njëkohësisht edhe për mua si autor. Ishte i rëndësishëm për faktin se zhvillohet në një vend si Kanadaja, ku kërkesa për artin dhe cilësinë e tij është shumë e lartë, dhe sepse trajtonte një temë universale për të cilën është e shqetësuar gjithë bota”, shprehet arkitekti dhe karikaturisti Arben Meksi.

Nisur nga rasti i Donald Trump, përbuzja e tij për shtypin, rivalët e institucionet, konkursi u përqendrua tek frikësimi e dezinformimi, të kthyera në armë në arsenalin e politikanëve që synojnë kontrollin mbi mediet. Çmimi i parë shkoi në Amerikë, përmes kësaj karikature të Ali Miraee.

“Ne marrim një çmim pas 35 vitesh, ndaj më gëzon ky çmim për të cilin organizatorët jo vetëm e katologojnë bukur, por ekspozita lëviz në shumë vende të botës”, thotë më tej artisti.

Vlerësimi i Meksit në këtë garë botërore, rikonfirmon edhe një herë artistët vendas si kompetitiv në rang botëror, edhe pse zhanri i karikaturës në Shqipëri vjen në zbehje.

“Ne jemi për tre milionë banorë 3 karikaturistë kur vendet e tjera janë shumë të zhvilluara në këtë aspekt”, shprehet ai.

E megjithatë për rivitalizimin e këtij arti, jo thjesht në telajo por edhe në hapësira publike përmes skulpturës, artisti nga Vlora e ka një ëndërr që lidhet me qytetin e tij.

“Vlorës i mungon arti, skulptura e parkut. Ndaj duke parë Lungomaren gjithë atë hapësirë që mbetet bosh unë do ta propozoja për vepra publike duke e quajtur ‘Tavolozza e skulpturës moderne’ të qytetit. Ndaj u  bëj thirrje të gjithë artistëve që këtë vend ta kthejnë në një park të madh skulptural. Edhe karikatura unë kam menduar që në të ardhmen mund të kthehet në skulpturë. Vendet e zhvilluara të botës fitojnë shumë pikë me këtë lloj arti duke e bërë tredimensional”, thotë ai./Shqiptarja.com/Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments