Më 23 prill, në Preshevë, me brezat e rinj, me libra në dorë e me dashurin për librin në Bibliotekën e qytetit “Mehmet Jusufi”, u shënua Dita Botërore e Librit,
Ndonëse libri po shënon faza të neglizhencës si goditje e teknologjisë sidomos tek brezat e rinj, biblioteka e qytetit këtë vit ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh me qëllim të motivimit e ngritjes së vetëdijes në raport me librin.
Me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, në bibliotekën e qytetit kanë qëndruar nxënësit parashkollorë “ 8 Marsi “ në Preshevë. Në këtë aktivitet fëmijëve iu fol mbi rëndësinë e librit si udhërrëfyes i dijes e suksesit. Ata me këtë rast recituan poezi e treguan tregime. Kjo ngjarje me aktivitete nesër do të vazhdojë me nxënësit e Shkollës Fillore “Migjeni” Caravajkë.
Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit festohet çdo vit më 23 prill. Kjo ditë është shpallur nga UNESCO në vitin 1995 me qëllimin për të promovuar leximin, botimin dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit.
Data 23 prill nuk është zgjedhur rastësisht — ajo përkon me ditën e vdekjes së disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj të historisë, si Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega, të cilët të gjithë ndërruan jetë në këtë ditë në vitin 1616./ Perspektiva/