15 shtator Me iniciativë dhe me kërkesë të Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, sot u mbajt një ligjëratë edukative me nxënësit e klasave të para, në bashkëpunim me organet e rendit, me qëllim ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e sigurisë dhe parandalimin e dukurive negative.
Gjatë ligjëratës u trajtuan tema me rëndësi të veçantë për nxënësit, ndër të cilat:
●siguria në përgjithësi dhe siguria në mjediset shkollore;
● siguria në komunikacion dhe sjellja e përgjegjshme në rrugë;
● pasojat dhe rreziku i mbajtjes së armëve të ftohta dhe mjeteve të tjera të rrezikshme;
● dhuna verbale, psikologjike dhe fizike;
●pasojat që mund të shkaktojnë sjelljet e dhunshme dhe të papërgjegjshme;
●rëndësia e respektit, komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet nxënësve.
Nxënësve iu përcoll mesazhi i qartë se çdo formë dhune, kërcënimi, mbajtja e mjeteve të rrezikshme dhe çdo sjellje që cenon sigurinë në shkollë do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat në fuqi, në bashkëpunim me shkollën, Qendrën për Punë Sociale dhe organet kompetente të rendit.
Ligjërues në këtë aktivitet ishin: zyrtarët policor Besfort Junuzi dhe Milena Nesic si dhe polici i shkollës Besnik Sherifi, të cilët ndanë me nxënësit informacione dhe këshilla të rëndësishme për parandalimin e rreziqeve dhe ndërtimin e një ambienti të sigurt shkollor.
Shkolla “Sezai Surroi” mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt, të qetë dhe pozitiv për të gjithë nxënësit dhe punonjësit e saj. Siguria, respekti dhe përgjegjësia – përgjegjësi e përbashkët./Perspektiva/

