PRESHEVË, 17 shtator 2026 – Në kuadër të “Javës së Aktiviteteve”, të organizuar me rastin e 85-vjetorit të Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, u zhvillua një takim me krijues nga Lugina e Preshevës, përfaqësues të shoqatave kulturore dhe krijues të rinj.
Takimi shërbeu si një hapësirë e hapur për bashkëbisedim dhe shkëmbim idesh mbi gjendjen e krijimtarisë letrare e kulturore në Luginë, sfidat me të cilat përballen autorët, si dhe nevojën për krijimin e mekanizmave të rinj të bashkëpunimit dhe promovimit të veprave të tyre.
Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet krijuesve dhe institucioneve kulturore, me theks të veçantë në krijimin e urave të reja me shtëpi botuese dhe institucione kulturore nga Kosova dhe Shqipëria. U vlerësua se një bashkëpunim më i strukturuar do të mundësonte që autorët e Luginës të kenë më shumë mundësi për botim, promovim, pjesëmarrje në aktivitete kulturore dhe qasje në hapësira më të gjera të komunikimit kulturor.
Në këtë frymë, 85-vjetori i Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” nuk është vetëm një përvjetor i një institucioni të rëndësishëm të kulturës në Preshevë, por edhe një mundësi për të menduar për të ardhmen e librit, leximit dhe krijimtarisë.
Biblioteka e Preshevës synon të jetë një pikë takimi ku libri bashkon brezat, krijuesit dhe institucionet, ndërsa zëri letrar e kulturor i Luginës të dëgjohet gjithnjë e më fuqishëm në të gjithë hapësirën shqiptare./Perspektiva/

