Përkitazi me librin aforistik “500 Aforizma”, të autorit Halim Hasani, Shtëpia Botuese “Lenagrafik”, në Prishtinë, 2025.
Këto ditë janari, në periudhën e manifestimeve me rastin e Flakës së Janarit, na erdhi si një flakadan i ndezur edhe libri me 500 aforizma, të autorit nga Komuna e Bujanocit, Halim Hasani.
Ky është libri i katërmbëdhjetë me radhë i botuar me aforizma, numri të cilave thyen rekordin e botimit të këtij zhanri deficitar të aforistikës shqiptare më 4500 sish, duke e bërë Halim Hasanin, mjeshtër dhe legjendë të krijimit aforizmit, rrugëtim ky i cili synon të mbërrijë deri në numrin 5000, që për letrat shqipe paraqet një thesar të çmuar e me rëndësi letrare e kombëtare.
Libri më i ri i Halim Hasanit, i përbërë nga 500 aforizma, është një dëshmi e fuqisë dhe thellësisë së mendimit të tij, duke e çuar më tej traditën e rrallë të aforistikës shqiptare. Përmes këtij libri, autori shfaq një mjeshtëri të lartë letrare, duke i dhënë jetë mendimeve të përmbledhura në pak fjalë, por me një peshë të madhe kuptimore dhe artistike.
Vlen të ceket se Halim Hasani, nga Lugina e Preshevës, me botimin e aforizmit, mbetet njëri nga krijuesit më të mëdhenj të këtij zhanri letrar, i cili deri tani ka publikuar këto libra aforistik: “Aforizma të kohës” (1993), pastaj libri tjetër “200 Aforizma” (2005), për të vazhduar me “Aforizma bashkëkohorë” (2008), “Aforizma” (2010), “Fjalë nëpër kohë” (2012), “1021 Aforizma” (2012), “Fjali me inxhi” (2013), “Fjali pa mahi” (2014), “2400 Aforizma” (2016), “600 Aforizma” (2018), kompleti “3000 Aforizma” (2019), “500 Aforizma” (2021), pastaj tjetër “4000 Aforizma (2022) dhe libri i fundi i tij i publikuar këto ditë mban titullin: “Kokën e jap, tokën s’e jap” me 500 Aforizma” (2025), pra gjithsej 4500 aforizma.
Halim Hasani, vazhdon ta kultivojë dhe ta afirmojë aforizmin shqiptar, këtë gjini deficitare letrare e cila e ka burimin te urtia popullore, e sajuara nëpër shekuj, duke u munduar që në aforizmat e tij, të nxjerr një mësim, një porosi, një këshillë të urtë, si dhe të jap një mesazh të qartë me vlera të mëdha artistike./Perspektivapress/