Në ambientet e Amfiteatrit të Radio Televizionit Presheva, Shoqata e Shkrimtarëve ‟Feniks” mbajti manifestimin e përvitshëm letrar ‟Kultura na bashkon 2023”. Këtë vit manifestimi iu kushtua poetit dhe shkrimtarit preshevar Jonuz Fetahaj me rastin e 77 vjetorit të lindjes dhe botimit të kompletit të veprave të tij.
Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i kësaj shoqate prof. Avni Shaqiri i cili i dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, të cilët kishin ardhur enkas për këtë jubile, dhe elaboroi para të pranishmëve historikun nëpër të cilën ka kaluar kjo shoqatë prej themelimit e deri më sot.
Gjatë manifestimit Shoqata e Shkrimtarëve ‟Feniks” ndau mirënjohje për shkrimtarin Jonuz Fetahaj ku në mënyrë solemne këtë ia ndau kryetari Avni Shaqiri.
Pas ndarjes së mirënjohjes manifestimi kaloi në orën letrare ku poetët e pranishëm lexuan poezi nga krijmtaria e tyre e që ishin: Vera Ahmetaj, Nexhat Rexha, Fatos Rushiti, Halim Hasani, Xhavit Selmani, Musa Ahmetaj, Arsim Halili, Rexhep Abazi, Jalldëze Kasumi, Havushe Kasumi, Bilall Maliqi, Avni Shaqiri, Nehat Ramizi.
Po ashtu edhe aforistit Halim Hasanit, iu nda mirënjohja për 30 vjetorin e krijimtarisë së tij, ku mirënjohjen ia dorëzoi kryetari Avni Shaqiri.
Pas leximit të poezive juria e përbërë nga: kryetar Jonuz Fetahaj, Bilall Maliqi anëtar dhe Xhemaludin Rexhepi anëtar, përzgjodhën poezitë më të mira, ku ‟Çmimi i Parë” i takoi Fatos Rushitit, ‟Çmimi i Dytë” Vera Istrefaj, ‟Çmimi i Tretë” Nexhat Rexha dhe ‟Çmimi Special” juria e vlerësoi poeten Havushe Kasumi Ahmeti.
Moderimim e manifestimit e bëri Shefat Ademi.
Falënderojmë Qeverinë e Kosovës dhe Këshillin Nacional Shqiptar, të cilët bënë të mundur që ky manifestim të mbahet ashtu siç është më së miri!
Në fund për të pranishmit u shtrua një drekë, tek restauranti ‟Bici” në fshatin Samolicë.
Prof.Avni Shaqiri, kryetar/Perspektiva/