Në Panairin e 46-të Ndërkombëtar të Turizmit në Beograd, nga 20 deri më 23 shkurt, Organizata Turistike e Bujanocit do të prezantojë segmentet më të rëndësishme të ofertës turistike të kësaj komune, me theks në turizmin rural dhe kulturor.
Në këtë eveniment të lartë kulturor me karakter ndërkombëtar, kjo ndërmarrje publike, që ka për themelues Komunën e Bujanocit, në fokus do të ketë promovimin e destinacioneve turistike si dhe zhvillimin e ofertës turistike të kësaj komune.
Siç mësuam nga Zijadin Rashiti, përfaqësues i ekipit të kësaj organizate turistike, që po merr pjesë aktive në këtë panair ndërkombëtar, vizitorët do të kenë mundësi të njihen me bukurinë autentike natyrore, gastronominë tradicionale dhe mikpritjen e këtij rajoni.
Përmes ofertës së pasur dhe prezantimeve interaktive, Bujanoci shquhet si një destinacion turistik gjithnjë e më i dëshirueshëm në Serbi dhe rajon, ndaj nuk duhet humbur mundësia për ta vizituar stendën e kësaj organizate për të zbuluar e shijuar bukuritë e Bujanocit.