HomeKulturëP R I Z R E N I  (Na ishte dikur!)

P R I Z R E N I  (Na ishte dikur!)

Nga Fahri Musliu

Le të mburret Stambolli me përqafimin e vet madhështor me Bosforin; le të mburret Edreneja me minaret e shumta; Selaniku me gjallërinë e bregdetit të vet dhe me afërsinë me Olimpin; Shkupi me të kaluarën e vet heroike; Ohri me peshkatoren e madhe dhe Shkodra me larushinë e pazarit e të çarshisë së vet – megjithatë, Prizrenit i mbetet me çka të krenohet e të ngrihet mbi të gjithë.

Nëse e pranoni se turku di të kënaqet, atëherë të paktën edhe pyet: çka e bën një vend, katund a qytet, të bukur? E ai do t’ju thotë: “Teferiçi i bukur dhe uji i mirë”. Dhe, nëse është ashtu, atëherë Prizreni është qytet mbi qytetet dhe kasaba mbi kasabatë, sepse pikërisht këto dy kushte edhe e bëjnë Prizrenin: teferiç i bukur dhe ujë i mirë.

Nga secila penxhere, nga secili çardak në Prizren, kthehu në të majtë apo në të djathtë, shiko para vetes apo prapa vetes, dhe do të mbetesh pa frymë e do të mahnitesh me hijeshinë që ta sheh syri, hijeshi çfarë rrallë mund ta gjesh diku. Vërtet rrallë, sepse atë bukuri nuk e bëjnë vetëm malet e larta, fushat pjellore, luginat e buta, lugjet e zbukuruara, lumenjtë e kulluar, përroskat e harlisura, por e bëjnë ato lloj-llojshmëri dhe larushi natyrore, të cilat aq afër njëra-tjetrës renditen dhe e bëjnë që një imazh ta shprehë më shumë tjetrin.

 (Shkëputur nga libri udhëpërshkrues “Nga Kosova deri në bregdetin e Adriatikut” 1894, i shkrimtarit dhe diplomatit serb Branisllav Nushiq -Alkibiad Nusha, botuar në shqip në nëntor të vitit 2021, nga Shtëpia Botuese “Naimi”, Tiranë.)/Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments