HomeHumor - ArgëtimPromovohen veprat letrare të poetes Sadete Emërllahu Presheva

Promovohen veprat letrare të poetes Sadete Emërllahu Presheva

Të shtunën e 7 shtatorit, në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës,  u promovuan 7 veprat letrare të poetes së ndjerë nga Presheva – Sadete Emërllahu Presheva, ku në prani të dashamirëve të librit u shpalos jeta dhe veprimtaria krijuese e saj letrare.

Nxënësit e grupit letrar “Lexo” – Elvir Jusufi dhe Lina Ismaili interpretuan mjeshtërisht 5 poezitë e saj, ku emocionuan të pranishmit.

Vlen të ceket se poetja jonë preshevare ishte poetja e parë që botoi librin e saj në ish Jugosllavinë e atëhershme, pra vëllimin e saj poetik “Dallgë zemrash” në vitin 1972.

Në këtë promovim (post mortum) u diskutuan vlerat e krijimtarisë së saj letrare ku u vlerësuan shumë lart nga recensentët, poetët (prof. Dr. Nebi Islami, Bilall Maliqi, prof. Sabit Jaha, etj) si edhe u propozua që të merret edhe kritika letrare mbarëkombëtare me po këto vepra të saj, tanimë që është kurorëzuar e gjithë krijimtaria e saj në 7 vëllime.

U theksua që poetja Sadete ka qenë themeluese e Grupit Letrar “Migjeni” pranë gjimnazit “Skendërbeu” në Preshevë, gjë që nxori talente të shumtë nga aktivitetet e saj kulturore e letrare, ku mes tjerash mjeku preshevar që aktualisht punon në Tiranë z. Artan Selimi, ku mes emocionesh fliste me nostalgji për këto aktivitete, por edhe poeti, gazetari prof. dr. Dashnim Hebibi me një letër që ka përshkruar biografinë e poetes, dëshmoi se puna e saj ka nxjerrë vërtetë rezultate të dukshme. Gjithashtu u propozua që emri i saj të kujtohet me emërimin e ndonjë institucioni që përkon me aktivitetet e saja.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments