Është fëmija që u shua vetëm 8 vjeç në kampin e Tepelenës. Endri Çela e nxjerr “Sajzën” nga tregimi i Agron Tufës, për të dëshmuar mizorinë e diktaturës. Zhvarrosja e saj në skenë është një akt i fortë simbolik.
Publiku është ngjitur në skenën e rrethuar me tela. Artistja Valentina Myteveli i jep zë fëmijëve- viktima të atij kampi kobëzi.
“Personazhi i Sajzës ka një histori shumë të dhimbshme, që fatkeqësisht e kanë pasur shumë fëmijë të tjerë në atë kamp. Dhe, përvoja e (zh) varrosjes të fuste në gjendje. Dheu ishte shumë i ftohtë…” , tregon Valentina Myteveli, që interpreton rolin e “Sajzës”.
Premierë e Teatrit Eksperimental, me “Lule Sajzën” regjisori Endri Çela futet në shtegun e teatrit dokumentar përmes interpretimit të aktorëve, dëshmive filmike dhe të mbijetuarve në skenë. Hulumton e zgjedh disa nga dëshmitë e të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës.
“Lule Sajza” shënoi premierën në 21 mars dhe vijon të shfaqet për publikun. Thekse nga një shkrim më i zgjeruar./Shqiptarja.com/ Perspektiva/