HomeKulturëXhubleta, dëshmi lashtësie

Xhubleta, dëshmi lashtësie

Studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi morën pjesë në simpoziumin shkencor “Xhubleta, dëshmi lashtësie” organizuar nga komuna e Tuzit. Mali i Zi e ka shpallur zyrtarisht vitin 2023 “Vit i xhubletës shqiptare”.

 Akademia e Shkencave e Shqipërisë shprehet se veprimtaria u zhvillua në kuadër të “Vitit të xhubletës”. Nik Gjeloshi përshëndet simpoziumin dhe veprimtaritë e tjera në të njëjtin kuadër. Referues nga Shqipëria në këtë simpozium ishin akad. Shaban Sinani dhe prof. dr. Afërdita Onuzi.

Për akademik Shaban Sinanin, regjistrimi i xhubletës në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s si një veshje origjinale me lashtësi epokale për njerëzimin përbën një ngjarje kulturore me rëndësi për gjithë shqiptarët.

“Bashkë me xhubletën, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, drejt thesarit të trashëgimisë botërore kanë udhëtuar edhe disa pasuri të tjera shqiptare të pandashme prej saj. Areali i kryezonës së ruajtjes së xhubletës është i njëjti me arealin e ruajtjes së lahutës, eposit heroik, kanunit, kullës, logut, bjeshkës, malësorit, jetës tradicionale”, shprehet ai. Sipas tij, ka një dallim midis zonës së rrudhur, mjaft të ngushtë, ku këto pasuri janë ruajtur si trashëgimi e si mjeshtëri; krahasuar me atë të kohës së kodifikimit të tyre.

“Në hapësirën historike shqiptare ndarja në dy makrozona: të toskërishtes dhe gegnishtes; të polifonisë e homofonisë, si një dallim që nuk e preku identitetin shqiptar, rezulton, sipas shprehjes së E. Çabejt, “në shekujt e kapërcyellit”, kur ndodhi kalimi nga ilirët tek shqiptarët. Edhe në pikëpamje të tipologjisë së veshjes hapësira historike shqiptare është ndarë në të njëjtën kohë, në dy makrozona: të fustanellës në jug dhe të xhubletës në veri.

Hartëzimi i veshjeve shqiptare sipas kësaj tipologjie është bërë prej antropologëve, studiues të tyre, duke u mbështetur në studimin e Rrok Zojzit për ndamjen krahinore të popullit shqiptar dhe në atë të Mark Krasniqit për ndamjen krahinore të Kosovës, që janë vazhdim i njëra-tjetrës”, vijon ndër të tjera akademik Sinani.  Sipas akademikut, xhubleta e çon studiuesin në shekuj të hershëm jo vetëm me pamjen e saj fisnike, jo vetëm me funksionin heraldik, por edhe me zbukurimoren e vet./Bulevard/Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments