HomeKulturëSofra gjirokastrite e Festivalit

Sofra gjirokastrite e Festivalit

Një sofër madhështore e shtruar bukur, e prekshme në cdo sokak e kalldrëm, te banorët e cdo moshe në qytetin e gurtë por kurrë “zemër gur”, në cdo dyqan e njësi shërbimesh tregtare dhe gjer te kurora vezulluese e Kështjellës shekullore.

Kurorë e thurur me dhjetra kilometra fijesh nga duar artizanësh dhe me ngjyrat e feksura të ylberit jo dosido nën kupën e qiellit të kulluar të qershorit…Pret e përcjell mysafirë e “krushq” të gëzuar nga gjithë Shqipëria: Mirëseerdhët, ju lumshin këmbët !”.

Një rikthim emocionues në vendlindjen e këtij Festivali Folklorik Kombëtar, në Gjirokastrën tonë të dashur e qesqine, që për dekada me radhë ka shpalosur si askush gurrën popullore nga tërë trojet shqiptare.

Një unitet i vecantë artistik i paprekshëm, e pse jo edhe tepër atdhetar e patriotik. “I zoti i shtëpisë”, Flamur Golemi me shokë, ashtu të pagjumë e plot merak njerëzor e shtetëror, interesohen deri në detajet më të vogla. Se Qeveria e Bashkia e kanë “zgjidhur qesen” për ngjarjen kulturore më madhore të vitit. Dhe mirë bënë ! Jo rastësisht ministrja Margariti, shikon e provon pëllëmbë për pëllëmbë ecurinë organizative, teknike e artistike.

Madje në lartësitë e Kurorës ylbermbajtëse, ajo u ngjit vetë dhe shijoi e para bukuritë natyrore të qytetit në festë, luginën gurgulluese të Drinos, Odrien gjithë lisa gjithë hije, Lunxhërinë plot lezete e Bureton, Zagorinë e Cajupin me qylaf dëbore, Dropullin e Sopotin …Të gjitha nga skena jo e zakonshme e Festivalit, sidomos mbrëmave drithëruese përmes detit popullor me dallgë kostumesh marramendëse, me këngë, valle e melodi nga tërë krahinat. “Ndezi këngën Shqipëria/ në kalanë e Festivalit/ te ky shesh që s’harron kurrë/ këngën e Xhevat Avdallit…”. E dini kush e këndoi ? Vetë Flamuri, kryetari i Bashkisë që populli e besoi dhe vlerësoi prapë. Pa qibër e fodullëk kolltuku, tundi skenën pa fjalime të rëndomta ky djalë lab, mjek e administrator i mirë. Xhubletat e fustanellat palë-palë, zërat e talentuar do të sjellin për një javë motive të zgjedhura e të përzgjedhura nga një Komision profesionistësh me në krye të papërtuarin Thoma Gaqi.

Burimore e larg politizimeve absurde. Por do na sjellin pranë edhe usta Laver Bariun; bardin e polifonisë së Bregut si vetë rrapi i Pilurit, Lefter Cipën kryegdhendës të fjalës “gur qosheje”; Taso Gjokutën e pavdekshëm për fëmijë e të rritur në breza; Dhimitër Varfin, Arap Celoleskaj, Gjok Nonaj, Fatime Sokolin etj. emra të paharruar./ Thekse nga nje shkrim me i zgjeruar prej  Kristo Mërtiri/Gazeta Bulevard/Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments